Kompania Pfizer tha të enjten (7 shtator) se ka kërkuar autorizim për përdorim urgjent të vaksinës kundër COVID-19 tek fëmijët e moshës 5 deri 11 vjeç.
Kërkesa i është parashtruar Agjencisë së Ushqimit dhe Barnave (FDA) në Shtetet e Bashkuara.
Vala e fundit e koronavirusit e shkaktuar nga varianti shumë ngjitës Delta ka prekur në masë të madhe fëmijët. Vaksinimi i këtyre grupmoshave është thelbësor për të mbajtur shkollat e hapura dhe për të kontribuar në përfundimin e pandemisë.
“Jemi të përkushtuar që të punojmë me FDA-në me qëllim që të ndihmojmë në mbrojtjen e fëmijëve kundër këtij kërcënimi serioz për shëndetin publik”, tha kompania Pfizer.
Agjencia e Barnave e SHBA-së tha se komiteti këshillues do të shqyrtojë të dhënat dhe para datës 26 tetor do të paraqesë mendimin nëse duhet t’i jepet autorizimi përdorimit të vaksinës te fëmijët e kësaj grupmoshe.
Vaksinës së kompanive Pfizer-BioNTech i është dhënë miratimi i plotë i FDA-së për personat e moshës 16 vjeç e lart. Në muajin maj, FDA-ja autorizoi përdorimin e saj urgjent tek fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç.