Vendosni fjalën kyçe....

 “Sapo konfirmove se ke gënjyer vetë gjithë komisionet” – Bardhi kap “gabimin” tek Manastirliu (DEBATI në Kuvend)


Është shoqëruar me debate seanca e sotme plenare në Kuvend, lidhur me shifrat e vaksinimit të popullsisë kundër Covid-19.

Pas disa kritikave nga deputeti demokrat Tritan Shehu, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu doli në foltore dhe mori fjalën e revoltuar, duke treguar disa shifra lidhur me numrin e fataliteteve në vend, si dhe me mbulimin e vaksinimit. Ajo akuzoi opozitën se i ka nxitur qytetarët që të mos vaksinohen.

Mirëpo zonja Manistirliu mbase padashur përgënjeshtroi raportimin që vetë bëri dy ditë më parë në Komisionet parlamentare ku tha se 36% e popullsisë në vendin tonë i kanë marrë të dyja dozat. Duke treguar sot tabelat në Kuvend, tha se ky numër ishte 28%, detaj që e kapi menjëherë sekretari i Përgjithshëm në PD Gazment Bardhi dhe ndërhyri.

Ai i tha ministres Manastirliu që të mos gënjente.

DEBATI:

Ogerta Manastirliu: Në fakt nuk e doja për replikë fjalën por për të sqaruar dhe për të thënë disa të vërteta, nihilizmi dhe akuzat nuk janë fakte dhe nuk janë shifra.

Flisni dhe përdorni shumë mortalitetin e shtuar. Nuk më pëlqen të flas dhe do të jetë hera e fundit që flas për fatalitetet, sepse ajo çfarë duhet të na bëjë sensibël është fakti se sot edhe nëse një jetë humb, humb për shkak të vaksinimit që nuk po e kryen.

Dhe kur dëgjohet nga kjo foltore dhe thuhet që vaksinat që janë në Shqipëri janë të pacertifikuara, kjo është alarmante. Është turp. Kjo është të nxisësh qytetarët që të mos shkojnë të vaksinohen, ashtu sikurse keni bërë për 18 muaj duke mos nxitur qytetarët që të mos shkojnë në spitale, duke vajtur vonë e duke humbur jetën. Duke mos i dhënë shanse mjekëve dhe infermierëve për ti trajtuar. Kjo është absurde. Kjo është jo vetëm alarmante, kjo është e frikshme.

Tani meqë thatë për Shqipërinë që mban vendin e parë kampion, urdhëroni, tabela e ekonomistit për numrin mesatar të fataliteteve të shtuara përgjatë periudhës duke filluar nga fatalitetet e para. dhe po jua lë këtu ta shihni. Urdhëro ku është Shqipëria.

Një sekondë të lutem, ti po më jep atë, unë po të jap këtë. Të lutem shume, se po më mbaron koha.

Vaksinimeve dhe përqindjes së tyre, janë disa indikatorë që masin vaksinimet. Jo tabelat tuaj që i merrni nga një sajt që bashkon të dhëna ( I drejtohet zonjës Vokshi, e cila i tregon një tabelë).

Ka disa të dhëna OBSH-ja, që përcakton përqindjet dhe indikatorët që shtetet vlerësojnë vaksinimet dhe këto janë absorbimi i vaksinave dhe niveli i absorbimit të vaksinave. Urdhëro, OBSH e ka Shqipërinë në këto nivele 31% me dozën e parë, 28 % ka vajtur tani me dozën e dytë. Dhe ja ku jemi ne në mes të vendeve të tjera, nuk jemi të parët jo sepse kemi këtë opozitë që u thotë qytetarëve mos u vaksinoni, mos shkoni në spitale. Ja urdhëroni.

Gazment Bardhi: Zonja ministre në fakt ti je mësuar të gënjesh për çdo gjë, por nuk mund të vish këtu dhe të akush opozitën me të pavërteta.

Ti ke qenë prezent në Komisionin e Ligjeve, ku secili prej deputetëve të opozitës që ka marrë fjalën i ka bërë thirrje qytetarëve për ti vaksinuar, duke dhënë shembullin personal edhe të deputetëve të opozitës të cilët janë të vaksinuar.

Dhe sapo konfirmove shifrat tona, edhe pse na akuzove se gënjejmë. 28% janë qytetarët që janë vaksinuar me të dyja dozat, jo 36% sa gënjeve ti të gjitha komisionet parlamentare, duke filluar nga Komisioni i Shëndetësisë, deri tek Komisioni i Ligjeve. Erdhe këtu dhe pranove shifrat zyrtare.

Lindita Nikolla: Ju lutem e keni marrë fjalën për procedurë, por vetëm për procedurë nuk po flisni

Gazment Bardhi: Edhe zonja e mori për replikë dhe akuzoi opozitën me gënjeshtra dhe më pas konfirmoi shifrat tona që kishte gënjyer Kuvendin e Shqipërisë. Ishte 28% dhe jemi vendi I fundit në rajon, na e ka kaluar Kosova, Serbia, Maqedonia dhe jemi vendi i fundit në rajon, me përjashtim të Bosnjë Hercegovinës.

Hajde jep llogari aty pse jemi të parafundit në rajon dhe pastaj akuzo me të pavërteta opozitën.