Vendosni fjalën kyçe....

Basha: S’ka krizë energjetike por korrupsion, Rama po e blen energjinë 10 milionë euro më shtrenjtë se në bursë


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë sot në një konferencë për mediat, ku ka folur për krizën energjetike.

Basha sulmoi kryeministrin Edi Rama për deklaratat e këtij të fundit lidhur me çmimin e energjisë, dhe akuzoi qeverinë se nuk bëhet fjalë për krizë energjetike, por për korrupsion dhe keqmenaxhim.

“Të dashur qytetarë, sikur paralajmërova dje kur tellalli i frikës doli për atë që ai do t bëjë me energjinë. Sot patë se si spërdridhej para gazetarëve, jo si kryeministër, por avokat i klientëve me të cilët po ndan si plaçkë Shqipërinë dhe resurset e saj. U përpoq që të krahasonte Shqipërinë me vendet e tjera, por s’ka paralelizëm. Edhe përpjekja megalomane për t’i qarë hallin dështakut, për të justifikuar atë që ka në plan ky të bëjë me çmimin e energjisë këtu, në një nga vendet më të varfra, është teatër i përshirë për të dezinformuar opinionin publik, nëna dhe baballarë për të bërë se rritja e çmimeve është e pashmangshme.

Në fakt nuk është kështu. Kjo nuk është një krizë energjetike, por krizë korrupsioni dhe keqmenaxhimi me shkak dhe plan. I keni bilancet e operatorëve të energjisë se si në verë shesin me çmim të ulët energjinë e prodhuar nga uji dhe e blejnë e 3-4-fish çmimin pak muaj më vonë me tendera korruptivë duke shpërdoruar taksat që ua mbledhin kacidhe më kacidhe. OSHE dhe KESH janë ndërmarrje të zhytura në korrupsion dhe klientelizëm. Janë grup patronazhistësh dhe militantësh partie që nuk i shërbejnë interesit të qytetarëve.”– u shpreh Basha.

Mes të tjerash, Basha e akuzoi qeverinë se po e blen energjinë elektrike me çmim 10 herë më shtrenjtë se sa çmimi në bursë, në një kohë kur në verë e ka shitur shumë herë më lirë.

“Mjaftojnë raportimet e fundit në media për t’i çjerrë maskën me 3 tendera të tregu të lirë ku çmimi blerjes së energjisë është shumë i lartë se çmimi i bursës. Për të tre këta tendera diferenca është afro 10 milionë euro.

Nuk ka thatësirë, por bollëk për Edi Ramën dhe hajdutët e OSHE e KESH prej 10 milionë euro të pajustifikuara mes çmimit të tregut dhe se sa e blejnë këta energjinë. Për të njëjtën sasi do paguheshin 29 mln euro, janë paguar 39 milionë. Nuk duhej blerë ajo energji me këtë çmim në këtë kohë, nëse nuk do ishte shitur për dy lekë në verë energjia e kaskadës shqiptare.

Pyetja që vjen është: ku shkojnë këto para? Përvoja 8 vjeçare na ka treguar se shkojnë në xhepat e zyrtarëve nga më të ulëtit te lart e më lart të një shteti që sipas raporteve të BE e SHBA konsiderohet më i korruptuari në Rajon e Europë.

Rama e ka zgjedhur me vetëdije këtë rrugë dhe pasojat janë se ju varfëroheni dhe një grusht personash pasurohen në mënyrë marramendëse. Një qeveri normale do kishte në qendër interesin e njerëzve, por ky pushtet ka zgjedhur interesin e këtij grushti njerëzish e të cilët ndan pushtetin politik dhe paratë e vjedhura.”– tha Basha.