Videoja e ish -presidentit gjeorgjian Mikhail Saakashvili i cili u arrestua pas mbërritjes së tij në vend, bëri xhiron në rrjetet sociale javën e kaluar, pasi edhe pse me pranga në duar shfaqej duke buzëqeshur.
Por përpara arrestimit, 53-vjeçari kishte shprehur dashurinë për një politikane ukrainase 30-vjeçare, ndërkohë që rezulton i martuar ende me nënën e dy fëmijëve të tij. Një tjetër video kjo e bërë virale.
Sandra Roelofs zbuloi se lajmi për marrëdhënien e burrit të saj me politikanen Yelyzaveta Yasko, i kishte ardhur e papritur.
“Shumë miq dhe bashkëpunëtorë të hutuar më pyesin për jetën time personale. Unë nuk do t’ju fsheh se përmbajtja e videos, e bërë mbrëmjen e së Premtes, ishte e papritur për mua, dhe forma që ajo mori ishte krejtësisht e papranueshme.”- shkroi Roelofs në Facebook.
“Megjithë emocionet e mia personale, unë qëndroj e qetë, besoj se do të dalim fitimtarë nga kjo luftë.” shtoi ajo.
Por çfarë kishte ndodhur? Të Premten, politikania në Ukrainë Yasko publikoi një video në mediat sociale duke njoftuar lidhjen e saj me Saakashvili, të cilit iu hoq shtetësia gjeorgjiane pasi u largua nga vendi i tij në vitin 2013 dhe tani është një qytetar ukrainas që shërben si kreu i Këshillit Kombëtar të Reformës.
Ai u arrestua javën e kaluar pasi u rikthye në Gjeorgji dhe prokurorët tani po kërkojnë ta dënojnë atë me gjashtë vjet burg për abuzime me pushtetin, shkruan RT.
Yasko shkruante krahas videos: “Ne e regjistruam këtë video para se Mikhail të nisej për në Gjeorgji. Për faktin se jemi bashkë. Për faktin që ne e duam dhe mbështesim njëri –tjetrin.”
Mes të tjerash ajo shtonte se “dashuria dhe lufta për shtetin tonë është një kauzë fisnike! Dhe unë mbështes luftën e tij. Sepse vetëm luftëtarët e vërtetë me një zemër kaq të madhe dhe dashuri për shtetin e tyre mund të ndryshojnë botën! Vetëm njerëz si Misha janë gati të marrin rreziqe për atdheun e tyre. Unë e mbështes plotësisht atë.” Një video e cila përveçse la të hutuar njerëzit, tronditi gruan e ish-presidentit gjeorgjian.
Deklarata e çiftit për dashurinë e tyre erdhi para një sërë akuzash se Saakashvili kishte komplotuar për të vrarë figurat e opozitës në Gjeorgji për të formuar qeverinë. Saakashvili që atëherë ka njoftuar se po kryen një grevë urie ndërsa mbahet në paraburgim në Rustavi dhe se pavarësisht se tani ka hyrë në ditën e tij të shtatë të protestës, thuhet se është “i gëzuar dhe aktiv në qelinë e tij të burgut”.
Në postimin e saj në Facebook, Yasko i bëri thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Zyrës së Çështjeve, ambasadës së vendit në Gjeorgji, zyrtarëve të OKB -së, ambasadave amerikane në Kiev dhe Tbilisi dhe vetë Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky për të mbrojtur Saakashvilin si qytetar të Ukrainës.