Vendosni fjalën kyçe....

Jorida Tabaku: Pse nuk është reale rritja ekonomike 17.9 % që pretendon qeveria


Për deputeten demokrate Jorida Tabakun, rritja ekonomike prej 17.8% e deklaruar nga qeveria nuk është reale.

Në konferencën e sotme për mediet, ajo ka shpjeguar se 90% e familjeve shqiptare kanë të ardhura më pak se mesatarja dhe shpenzojnë më pak se mesatarja për ushqim.

“Në të gjithë botën po vihet re një tendencë e rritjes së çmimeve, në Shqipëri është vënë re më parë. Por problemi qëndron në mënyrën si reagon qeveria, çfarë masash merr dhe si është situata ekonomike e familjeve shqiptare. Përveç dhomës amerikane të tregtisë, ku 70% e bizneseve e shohin situatën pesimiste, përveç dhomës gjermane të tregtisë, edhe BSH në raportin e publikuar dje, në treguesin e ndjesisë ekonomike, prezanton një situatë negative në rënie të bizneseve, por dhe të konsumatorëve. Kjo është situata reale dhe ajo që ndodh në terren.

Pse nuk ka rritje ekonomike sot në Shqipëri? Ne dëgjuam deklaratën e dy ministrave që mburreshin për një rritje 17.9% të ekonomisë, ndërkohë që situata e përgjithshme e familjeve shqiptare është shumë e vështirë. Kjo rritje ekonomike rritet me dy elementë.

Së pari, sektori më i rëndësishëm që ka pothuajse 19 % të PBB është në rënie. Prodhimi në bujqësi është në rënie, punësimi në bujqësi është në rënie. Rreth 47 mijë persona kanë dalë nga tregu dhe të mos harrojmë që bujqësia nuk ka pasur asnjë ndalesë.

E gjithë pjesa tjetër varet vetëm nga sektori i ndërtimit. Kjo është arsyeja që qytetarët nuk po ndiejnë e as po përfitojnë asnjë përfitim të këtyre shifrave të punuara në zyrën e kryeministrit. Fondet e rindërtimit në ditën e zgjedhjeve janë një nga arsyet pse është rritur sektori i ndërtimit, disa punë sporadike që lidhen po me ditën e zgjedhjeve dhe ndërtimi informal që ndodh kryesisht në Tiranë. Kjo është arsye pse nuk përkthehet as në rritje pagash, pensionesh as në rritje të mirëqenies për qytetarët shqiptarë.

Siç raporton vetë qeveria, sot 51.7% të të ardhurave të një familje shpenzohen për ushqime dhe energji elektrike, me çmime më të rritura. Dyfishi i inflacionit, ndërkohë janë rritur çmimet. 90% e familjeve shqiptare kanë të ardhura më pak se mesatarja dhe shpenzojnë më pak se mesatarja për ushqime.”- deklaroi zonja Tabaku.