BE-ja duhet të tërheqë politikat e saj që synojnë trajtimin e ndryshimeve klimatike pasi ato janë arsyeja për rritjen rekord të çmimeve të energjisë në kontinent, tha kryeministri hungarez Orban.
Faturat e energjisë janë rritur për klientët në të gjithë Evropën për shkak të vendimeve të këqija të marra nga ‘burokratët në Bruksel’, të cilët po luftojnë për ekologjinë duke rritur vazhdimisht çmimin e energjisë së prodhuar nga qymyri dhe gazi, këmbënguli Orban në një intervistë radiofonike.
“Këto vendime duhet të tërhiqen. Tani çmimet e gazit janë aty ku duhet të ishin në vitin 2035. Brukseli nuk është zgjidhja sot, ata janë problemi.” – tha ai. Përveç Hungarisë, janë edhe Çekia e Polonia që kërkojnë që rregullat të tërhiqen.
Sipas kryeministrit, situata e vështirë në tregun e energjisë do të kryesonte axhendën në samitin e ardhshëm të BE-së, me Budapestin, Varshavën dhe Pragën që do paraqesin një front të bashkuar dhe do ofrojnë zgjidhjet e tyre për krizën.
Orban përsëri sulmoi shefin e politikës klimatike të BE-së, Frans Timmermans, i cili po përpiqet shumë që BE-ja të zvogëlojë çlirimet neto të gazrave serë me të paktën 55% deri në vitin 2030. Ai kohët e fundit paralajmëroi se rritja e çlirimit të gazrave nga sektori i transportit në Evropë mund të parandalojë bllokun që të arrijë atë qëllim.
“Është një komisioner i quajtur Timmermans, i cili po paraqet kërcënimin më të madh për ne.” – tha Orban.
Udhëheqësi hungarez sulmoi Timmermans gjatë vizitës së tij në Slloveni të enjten, duke thënë se ‘llogaritjet e tij ishin të pasakta dhe banorët e BE -së duhet të paguajnë çmimin shtesë’. Ai gjithashtu kritikoi politikat e BE -së për ndryshimet klimatike si ‘marrëzi’.
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani