Vendosni fjalën kyçe....

Nikolla bën bashkëbisedimin e parë me gazetarët: Do mundësojmë praninë tuaj jo vetëm në komisione, por dhe në seancat plenare


Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka thirrur sot gazetarët në një bashkëbisedim për herë të parë që pas marrjes së kësaj detyre.

Gjatë fjalës së saj, kryeparlamentarja tha se ajo do të ketë një komunikim transparent me gazetarët, të cilëve u dha lajmin se ata do të jenë në mbledhjet e komisioneve parlamentare. 

“Unë besoj se do të përforcohet dialogu dhe do të ruhet etika në komisionet parlamentare. Kemi parë se po shkojmë drejt normalizimit. Po ecim me procesin e vaksinimit me deputtët për praninë në komisione. Kjo do të jetë një aspekt i realizuar, pas kërkesës që erdhi nga opozita por dhe një ogur i mirë për jetën parlamentare.

Përfitoj nga rasti që të bëj thirrje për vaksinim.

Kam ndjekur dhe më parë debatin tuaj të realizuar dhe konsensusin e gjetur për mënyrën se si do të operonte media përmes aksesit në Kuvend. Jam e vendosur për komunikim dhe transparencë me mediat. Kam parë nga afër punën e mirë që është bërë nën kujdesin e BE për ngritjen e një sistemi të ri audio-video në godinën ku ndodhemi, në godinën e Kuvendit të Shqipërisë dhe besoj se ky është një lajm i mirë, që e sjell këtë moment, në standardet më të mira, ku ne duam të integrohemi, por besoj se do të rrisë aksesin përmes jush.

Më lejoni t’ju jap edhe lajmin se në kushtet kur kemi vendosur që mbledhjet e Komisioneve të zhvillohen me prani fizike, por edhe me praninë e gzetarëve edhe në këto mbledhje, ne do të mundësojmë praninë e gazetarëve edhe në seancat plenare si dhe atë metodologjinë e pranisë së kamerave për një minutash të caktuar.

Këto ishin ato që unë si fillim mendova të ndaj me ju, por mezi pres të dëgjoj nga ju pyetje dhe ndërveprime dhe ju të gjeni derën e hapur për çdo informacion që e konsideroni që duhet dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë.”– tha Nikolla.