Vendosni fjalën kyçe....

Peleshi thirrje bashkive: Nuk kemi rrezik për përmbytje, por merrni masa për shirat e javës së ardhshme


Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u ka bërë thirrje bashkive që të marrin masa për të bërë menaxhimin e çdolloj situate, në një kohë kur sinoptikanët parashikojnë reshje përgjatë javës së ardhshme.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile gjejnë rastin për t’u bërë thirrje të gjitha bashkive që të mbajnë në gatishmëri strukturat dhe kapacitetet e tyre për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Kjo situatë do të vazhdojë deri më datë 12 tetor kur do të kemi reshje të izoluara vetëm në dy qarqe, Dibër dhe Vlorë.”- shkruan ministri në një postim në “Facebook”.

Ndërsa thekson se reshjet nuk paraqesin rrezik për përmbytje, ministri garanton se gjithsesi strukturat e sistemit të mbrojtjes civile do të jenë në gatishmëri për të menaxhuar çdo situatë të mundshme.

“Nga parashikimi i Shërbimit Meteorologjik në Shqipëri, gjatë javës në vazhdim në të gjithë vendin do të ketë reshje mesatare dhe të dendura.

Reshjet që priten gjatë javës, konsiderohen normale dhe nuk paraqesin rrezik për përmbytje, megjithatë, strukturat e sistemit të mbrojtjes civile janë në gatishmëri për të menaxhuar çdo situatë të mundshme.”– shkruan Peleshi.