Vendosni fjalën kyçe....

Pse para disa muajsh e shitët energjinë lirë dhe sot e blini shtrenjtë? Përgjigjet Rama


Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një konferencë për mediat, pas një mbledhjeje të qeverisë ku shpalli emergjencën në furnizimin me energjinë elektrike.

Gjatë fjalës së tij, Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me faktin se përse para disa muajsh Shqipëria e shiste energjinë elektrike shumë lirë, ndërsa sot detyrohet ta blejë me çmimet më të larta në treg.

“A është kjo krizë një fatkeqësi që nuk mund ta shmangim, apo ka qenë një krizë keqmenaxhimi? I referohem këtu faktit që në verë ne kemi shitur energji shumë lirë, nga 40-80 Euro, ndërkohë që çmimi në bursa ka qenë 120 Euro. E tani po e blejmë shumë më shtrenjtë, me 230 Euro.”- ishte pyetja që iu drejtua kryeministrit.

Ai u përgjigj se arsyeja se përse disa muaj më parë energjia është shitur lirë, lidhet me faktin se Shqipëria nuk ka se ku do ta rezervojë dhe në kushtet e kërkesës së ulët, në vend që ta derdhë se s’ka ku ta mbajë, detyrohet ta shesë shumë më lirë.

“Ajo që ju s’doni të kuptoni dhe në këtë rast ju që jeni midis nesh dhe publikut, se qytetarët janë në një tjetër pozicion dhe janë në të drejtën e tyre që në kushtet e ankthit të mos jenë shumë të vëmendshëm për argumente.

Energjia shitet lirë sepse shitet kur nevoja në treg është e ulët, si rezultat I faktit se ne nuk e mbajmë dot se përndryshe do të përmbysim dynjanë. Se për çfarë arsye do ta shesim? Për çfarë arsye po e ndërtojmë Skavicën sot? Skavica është rezervuari që na jep mundësinë që këtë prurje të cilat nuk na duhen në atë moment të mos i derdhim, por t’i mbajmë aty si rezervë.

Dhe në momentin që do të kemi Skavicën, atëhere ne do të bëjmë një lojë komplet tjetër nga pikëpamja e lojës në treg sepse do të kemi fuqinë që ta diktojmë ne se kur do të dalim në treg për të shitur, e jo të na diktojë pamundësia për ta mbajtur. Se dy rrogë ka, ose do ta derdhim, ose do ta shesim. Cila është rruga që preferoni? Rrugë të tretë nuk ka.

Skavica që ka filluar tani puna dhe që do ndërtohet brenda këtij mandati, me ndihmën e Zotit se gjithmonë ndodhin gjëra rrugës, atëhere do të kemi rezerva. Se ujë mund të kesh, por po nuk pate ku ta rezervosh, çfarëe do bësh? Do rrish në dush gjithë ditën? Apo do ta lësh të ikë?”– deklaroi kryeministri.