Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një konferencë për mediat, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të qeverisë.
Rama tha se mbledhja u bë jashtë rendit normal, për të deklaruar emergjencën në furnizimin e energjisë elektrike. Ai tha se kanë bërë një plan për përballimin e kësaj krize, të cilin do ta bëjnë publik ditën tjetër.
“Sot kemi pasur një mbledhje jashtë rendit të përjavshëm për të marrë një vendim për të deklaruar emergjencën në furnizimin e energjisë elektrike. Vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumente financiare qoftë edhe me instrumente të natyrës administrative. Kështu që sot me këtë vendim i hapim rrugë dhe ekzekutimit të planit të posaçëm për ta përballuar këtë situatë dhe planin do ta bëjmë publik nesër.
Ndërkohë mund tu referohemi vetëm analizave të eksperteve dhe analizat që po bëjnë qeveritë e vendeve të ndryshme dhe është një situatë shumë e ngjashme në aspektin e goditjes së ekonomisë nga pandemia. Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezente me kulmin e saj deri në mesin e vitit të ardhshëm, edhe pas përballimit të krizës çmimet nuk do kthehen aty ku ishin, po për ne është e rëndësishme të mbrojmë konsumatorin tonë, sipas prioriteteve, do fillojmë nga ata që janë më nevojë dhe duke u ngjitur lartë. E vetmja rritje çmimi qe ka ndodhur bë qeverisjen tonë, ishte në 2015 kur hymë në reformën e energjisë.”- tha Rama.