Vendosni fjalën kyçe....

Rama u përgjigjet qytetarëve për rritjen e çmimeve: Nuk e përcaktojmë ne, unë dal para popullit dhe e shikoj në sy


Kryeministri Edi Rama këtë mëngjes iu është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve përmes një transmetimi live në Facebook.

E ai që në fillim e nisi me një sqarim për rritjen e çmimeve.

“Përshëndetje, e kam ndjekur me shumë vëmendje gjithë reagimin lidhur me krizën energjitike dhe raportin e komenteve tuaja këtu në këtë faqe mbi këtë krizë. Me një numër komentesh përfaqësuese do të mundohem të bëj disa sqarime shumë të thjeshta.”-  tha Rama.

“Ne e prodhojmë në vend energjinë elektrike dhe nuk e blejmë në bursë, kështu që edhe çmimin mund ta vendosni vetë?!”- ishte pyetja e një qytetari, të cilit Rama iu përgjigj se kjo nuk ishte e mundur.

“Jo i dashur Petrit, ne prodhojmë kur kemi reshje të mjaftueshme për mbushjen e hidrocentraleve dhe blejmë energji kur kemi thatësirë. Aq më tepër në kushtet kur periudhat e thatësirës janë bërë më të gjata si pasojë e ndryshimeve klimatike. Prandaj Shqipëria është e varur njësoj si vendet e tjera nga çmimet e energjisë nga tregu ndërkombëtar.”- tha Rama.

Rama e theksoi edhe njëherë këtë: “Duhet futur mirë në mendje se prodhimi vendor nuk i përmbush kërkesat e Shqipërisë, ndryshe nuk do shqetësoheshim nga kjo çështje. Kur ne e blejmë energjinë në kushte thatësire ku nevoja është në kul, çmimi rritet.”

Më tej kryeministri theksoi se edhe pse nuk mund të ndryshojnë çmimin e energjisë, do të mbrojnë familjet nga rritja e papërballueshme e tij.

“Ne nuk mund të ndryshojmë, çmimin e energjisë, por do mbrojmë familjet nga rritja e papërballueshme e tij sepse energjinë e blen dhe e shet shteti te familjet dhe ky është ndryshmi me çmimet e tjera që nuk i vendos qeveria, por tregu, kërkesa dhe oferta. Do bëjmë çmos t’i mbrojmë familjet nga kjo krizë e re globale.”- tha ai.

Pas shpalljes së krizës energjetike kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot qeverinë, ku pritet të diskutohet në lidhje me këto çështje.