Vendosni fjalën kyçe....

Skënder Gjinushi u përgjigjet akuzave: Nuk ka shkrirje, por ribashkim të Akademisë së Studimeve me Akademinë e Shkencave


Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi i është përgjigjur akuzave të deputetit demokrat Agron Gjekmarkaj për shkrirjen e qendrës së studimeve albanologjike.

Në një prononcim për mediet, Gjinushi tha nga Shkodra se nuk bëhet fjalë për një shkrirje, por për një bashkim të Akademisë së studimeve albanologjike me Akademinë e Shkencave.

Sipas tij, kjo po bëhet në mënyrë që politika të kthejë sytë nga shkenca.

“I ngatërruat me pyetjet e politikës. Nuk ka kontradikta të tilla as mendime të tilla. Bëhet fjalë për ribashkim të Akademisë së Studimeve me Akademinë e Shkencave, të cilat vazhdimisht kanë punuar bashkë. Akademitë si rregull kanë në gjirin e tyre, në pjesë të punës së tyre edhe rrjetin e caktuar të instituteve.

Ky është një modelet më produktiv që rezulton, aq më tepër në një vend të vogël, i cili s’ka komoditetin të ketë thjesht një akademi honorifike. Kështu që nuk e di nga e keni gjetur këtë fjalën e shkrirjes, bëhet fjalë për ngritje dhe pikërisht është zgjedhur që si hapi i parë të jenë Akademitë, institute albanologjike për vetë faktin që Akademia e Shkencave prioritare ka zhvillimin e shkencave albanologjike.

Ndaj do zhvillohet dhe Kuvendi albanologjik pas 40 vitesh, kështu që çdo gjë është me mirëkuptim, në bashkëpunim dhe e gjithë ajo bëhet që qeveria, politika të kthejnë më shumë sytë nga shkenca. Qoftë nga shkencat albanologjike, qoftë nga shkencat e natyrës apo teknologjitë. Sot mbyllëm në Tiranë një nga konferencat më të mëdha ndërkombëtare të nanoteknologjisë.”- deklaroi Gjinushi.

Kreu i Akademisë së Shkencave këtë deklarate e bëri në aktivitetin për 85-vjetorin e lindjes të akademikut shkodran, Bahri Beci.