Vendosni fjalën kyçe....

Anëtari i Këshillit Kombëtar- Berishës: Mos u kërko ndjesë demokratëve për Bashën po për bashkëpunëtorët e ish-ministrat e tu që i dhanë oksigjen Ramës


Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bernard Banushi, i është kthyer ish-kreut të partisë, Berisha, i cili në foltoret e tij u ka kërkuar ndjesë demokratëve për mbështetjen që i ka dhënë kreut të tanishëm, Basha.

Në fillim të qëndrimit të tij, Banushi shkruan se Basha ka qenë personi që ka drejtuar Komitetin e Orientimit të Politikave, një lëvizje vendimtare që solli në pushtet PD-në në vitin 2005.

Po kështu ai shkruan se Berisha nuk ka pse u kërkon ndjesë demokratëve për Bashën, i cili në vitin 2005 fitoi ndaj një prej njerëzve më të fortë në krah të Ramës në vitin 2005 e po kështu si ministër i Punëve Publike bëri në kohë rekord Rrugëne  Kombit.

“Dy fjalë për ndjesën e doktorit kundrejt demokratëve. T’i kërkosh ndjesë demokratëve për njeriun që udhëhoqi komitetin e orientimit të politikave që rezultoi si lëvizje deçizive për ardhjen në pushtet të PD, nuk është korrekte. Një komitet i mbushur me personalitete dhe fytyra që i dhanë ngjyra PD së asaj kohe për të marre vota në elektorat gri. T’i kërkosh ndjesë demokratëve për njeriun që fitoi në vitin 2005 me sistem mazhoritar një zonë që PD nuk e kishte fituar kurrë, përballë një prej rivalëve me më shumë lekë në atë kohë dhe një prej njerëzve më të fortë të Edi Ramës, është jo korrekte. Jo korrekte, për njeriun që shkëlqeu dhe shkërmoqi këdo që i dilte para në çdo debat politik të kohës, pra për njeriun me kontribut të madh në fitoren e vitit 2005. T’i kërkosh falje demokratëve për njeriun që si Ministër i Punëve Publike realizoi në kohë rekord projektin më madhor të 8 viteve qeverisje, është jo korrekte. Projekt që trumbetohet me të drejtë si projekti i kombit. Projekt që për shkak të xhelozisë së brendshme, u sulmua po nga brenda si aferë korruptive.” – shkruan Banushi.

Ai vijon më tej duke shkruar se nuk është korrekte nga ana e Berishës që të harrojë fitoren e Bashës në qarkun e Elbasanit e po kështu suksesin në zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Tiranës ndaj kryebashkiakut të atëhershëm, Rama.

“T’i kërkosh ndjesë demokratëve për njeriun që udhëhoqi fitoren spektakolare në qarkun e Elbasanit, është jo korrekte. Qarku që e mbajti në pushtet PD në vitin 2009 ndërkohë që në bastionet e demokratëve me investime të panumërta u mor rezultat i dobët. Në atë kohë krenoheshim me këtë njeri. Ky njeri ka bërë gjithçka për financimin e projektit të rrugës së Elbasanit duke shfrytëzuar çdo njohje dhe miqësi. Duke punuar pa pushim për realizimin e tij. T’i kërkosh ndjesë demokratëve për njeriun që i solli fitoren PD në bashkinë e Tiranës përballë kryetarit të opozitës, me një fushatë spektakolare dhe me stërkëmbësha nga brenda, është shumë jo korrekte. Fitore që i fiku shpresat E.R. për zgjedhje të parakohshme.” – vijon anëtari i Këshillit Kombëtar argumentimin e tij.

Në fund Banushi shkruan se Basha rrezikoi karrierën e tij politike në vitin 2017 për të sjellë demokratët në pushtet por u tradhëtua nga brenda, po pavarësisht kësaj nuk anatemoi njeriu.

Po kështu ai përmend punën e Bashës për anëtarësimin e vendity në NATO e liberalizimin e vizave ndërsa shton se Berisha nuk u ka kërkuar ndjesë demokratëve për ish-ministrat e për bashkëpunëtorët e tij, që i dhanë vota Ramës e nuk votuan për PD-në dhe fërkonin duart teksa PD-ja humbiste zgjedhjet.

Në fund Banushi u bën thirrje demokratëve për bashkim duke theksuar se shumë shpejt do jenë të gjithë bashkë kundër së keqes së përbashkët që ka vetëm një emër, Edi Rama.

“T’i kërkosh ndjesë demokratëve për njeriun që gati sakrifikoi karrierën e vet politike duke u futur në lufte me gjithë botën për të sjellë demokratët në pushtet në vitin 2017, por që u tradhtua nga brenda, e për këtë dhe qëllimi i kësaj nisme dështoi. Kurrë nuk sulmoi dhe anatemoi njeri dhe duroi me heshtje gjithë bataretë ndaj tij. T’i kërkosh ndjesë demokratëve për këtë njeri dhe asnjë ndjesë demokratëve për bashkëpunëtorët e tu më të afërt që i hoqën vota PD që t’i jepnin oksigjen PS, kjo nuk është korrekte. E dimë shumë mirë se pse humbi PD. Nuk kërkoi kurrë ndjesë për ish-armatën e drejtorëve dhe ministrave që fërkonin duart për humbjen e PD apo që në fund, nuk dhanë as votën për të. T’i kërkosh ndjesë demokratëve për dikë që ishte bashkëpunëtori yt më i afërt për rezultatet që janë krenaria juaj sot, siç janë liberalizimi i vizave, anëtarësimi në NATO dhe pavarësia e Kosovës nuk është korrekte. Nuk është bashkim që të lëshosh mbi këtë njeri ato fjalë për të cilat kurrë nuk u përfol për aq kohë sa ka qenë drejtues në institucione të ndryshme. Është e kundërta e bashkimit. Shpresoj dhe uroj shumë që ne demokratët, militantët, mbështetësit e gjithsecilit të përmbahemi me njeri-tjetrin sepse shumë shpejt do jemi po bashkë kundër të keqes që ka vetëm një emër, Edi Rama.” – mbyll reagimin Banushi.