Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i Gëllçit, procedura e tenderit u shpall para miratimit nga AMA e Bordi, fituese u shpall oferta më e lartë


Të tjera detaje kanë dalë nga arrestimi i ish-drejtorit të Radio Televizionit Shqiptar Thoma Gëllçi.

Sipas SPAK ai ka shpallur procedurën e tenderit përpara se të merrte miratimin nga AMA për hapjen e kanalit TVSH AGRO.

Tenderi është zhvilluar në 2018, dhe procedura është shpallur 3 vite përpara se TVSH Agro të fillonte transmetimin. Në 2021 TVSH Agro ka dalë në prova teknike. Përmes tenderit janë blerë pajisjet dhe janë përdorur ndërkohë.

Në tenderin për blerjen e pajisjeve si kamera etj, kanë qenë dy kompani EURO contact dhe TBS 96. Anëtarët e KVO janë shpallur TBS 96 fituese edhe pse kishte ofertë 20 mln më të lartë. Të dyja kompanitë kane pasur parregullsi në dokumentacion dhe duheshin skualifikuar.

Gëllçi dhe tre vartësit e tij janë arrestuar, pasi akuzohen për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, dhe përkatësisht për tenderin që kap vlerën e 86 milionë lekëve pa TVSH.

Sipas hetimeve të SPAK, rezulton se shkeljet janë kryer në tenderin me procedurë të hapur, ku personat e arrestuar rezulton se kanë favorizuar dhe nuk kanë bërë një garë të drejtë.

Gëllçi dhe tre punonjësit nuk i kanë pranuar akuzat, duke i kundërshtuar ato, por brenda 72 orëve ata do duhet të paraqiten pranë organeve të drejtësisë për të dhënë llogari për to.