Zyrtarët rusë kanë thënë se numri i të vdekurve nga konsumimi i alkoolit të falsifikuar ka shkuar në 26, ndërsa hetuesit kanë arrestuar disa persona në rajonin jugperëndimor, Orenburg.
Agjencia e lajmeve “Interfax” citoi të shtunën zyrtarë të qeverisë lokale të kenë thënë se 28 persona janë të hospitalizuar, shkruan Free Europe.
Sipas raportimeve të medieve lokale, së paku gjashtë persona janë arrestuar që nga fillimi i lajmit se njerëzit po sëmurën, më 7 tetor.
Në mesin e personave të ndaluar është një burrë, i cili dyshohet se ka distiluar pije alkoolike në shtëpinë e vet, dhe tre të tjerë për shpërndarje të pijeve në dyqanet lokale.
Ndryshe, helmimi me alkool të përgatitur në kushte shtëpiake e të falsifikuar ndodh shpesh në Rusi, pasi njerëzit kërkojnë opsione më të lira sesa vodka që shitet në shitore.
Në dhjetor të vitit 2016, 78 persona vdiqën në qytetin siberik, Irkutsk, dhe përreth tij, pasi kishin pirë një pije që përmbante metanol, lloj i alkoolit industrial.