Vendosni fjalën kyçe....

PD: Nuk është problem rritja e çmimeve por korrupsioni, qeveria bleu energji 10 milionë euro më shumë se bursa


Partia Demokratike ka reaguar sërish mbi rritjen e çmimeve.

Nëpërmjet një deklarate të deputetit Arbi Agalliu, PD-ja denoncon se qeveria ka blere energjinë elektrike me 10 milionë euro me shtrenjtë se sa është në bursë.

Problemi sipas PD-së nuk rritja e çmimeve në bursë por korrupsioni i qeverisë.

Tre tenderat e zhvilluar nga qeveria për blerjen e energjisë janë kryer me 10 milionë euro më shumë se bursa.

Deklarata e plotë:

Përshëndetje të nderuar qytetarë!

Prej kohësh po flitet për rritje të nivelit të çmimeve të produkteve që konsumojmë. Prej kohësh ju po ndjeni në xhepat tuaja pamundësinë financiare për të përballuar këto çmime. E sikur të mos mjaftonte kjo, kryeministri njoftoi tragjedinë, apo fatkeqësinë e tretë natyrore, që është rritja e çmimit të energjisë elektrike si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në bursë. Më lejoni t’iu bëj e dije se sa është çmimi i energjisë elektrike në bursë dhe se sa e blen qeveria shqiptare energjinë elektrike. Gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar tre tendera.

Në tenderin e parë janë shpenzuar 16.7 milion euro për të blerë energji elektrike, ndërkohë që në bursë mund të blihej fare mirë për 12 milion euro. Pra, 4 milion euro më tepër ka shpenzuar qeveria shqiptare.

Tenderi i dytë, janë shpenzuar rreth 10 milion euro për të blerë energji elektrike, ndërkohë që në bursë mund të blihej për vetëm 7.4 milion euro. Pra, janë shpenzuar 2.5 milion euro më tepër.

Tenderi numër tre, qeveria ka blerë energji elektrike me vlerë 12 milion euro, ndërkohë që në bursë mund të blihej me vlerën 9.4 milion euro. Pra, 3.4 milion euro më tepër. Në total janë shpenzuar mbi 10 milion euro nga buxheti i shtetit.

Të nderuar qytetarë, nuk është problemi rritja e çmimit të energjisë elektrike në bursë. Problemi është korrupsioni i kësaj qeverie. Problemi është aferat në këto tendera. Problemi është qindra patronazhistë të punësuar në sektorin e energjisë elektrike që marrin pagë nga buxheti i shtetit. Pra, fatkeqësia natyrore nuk është rritja e çmimit në bursë, por është kjo qeveri që përditë e më tepër, vjedh xhepat e shqiptarëve. Faleminderit!