Një shpërthim të premten pranë një xhamie shiite të mbushur plot me njerëz në provincën Kunduz të Afganistanit vrau të paktën 43 besimtarë dhe plagosi 150 të tjerë.
Zëdhënësi i qeverisë talebane Zabihullah Mujahid konfirmoi numrin e viktimave për mediat lokale afgane, duke thënë se sulmi ndodhi në kryeqytetin e provincës.
Shteti Islamik Khorasan, dega afgane e Shtetit Islamik, pretendon se sulmi vetëvrasës u krye nga një ndjekës i tij dhe paralajmëroi se do të ketë veprime të tilla të tjera në të ardhmen. Deklarata u evidentua dhe u përkthye nga grupi SITE, që monitoron faqet në internet të organizatave terroriste.
Kombet e Bashkuara deklaruan në Twitter se janë “thellësisht të shqetësuara” nga njoftimet për një numër të madh viktimash.
Zëdhënësi taleban tha se forcat e tyre ndodhen në vendngjarje dhe po hetojnë. Ai nuk dha të dhëna të mëtejshme.
Dega ISIS-K mori edhe autorësinë e sulmit të së dielës ndaj xhamisë kryesore të Kabulit. Sulmi në zemër të kryeqytetit afgan vrau të paktën tetë persona. ISIS-K deklaroi gjithashtu se ndër të vdekurit kishte edhe talebanë.
Talebanët thanë më herët se forcat e tyre të sigurisë patën filluar një operacion ndaj bazave të ISIS-K dhe se kishin shkatërruar tashmë një bazë në Kabul dhe kishin kapur 15 anëtarë të këtij grupi.