Vendosni fjalën kyçe....

Xi Jinping: Ribashkimi me Tajvanin do realizohet paqësisht


Presidenti i Kinës, Xi Jinping, është zotuar se do ta realizojë atë që e quajti “ribashkim” me Tajvanin, por kësaj radhe nuk e përmendi përdorimin e forcës.

Tajvani u kundërshpërgjigj shpejt, duke i bërë thirrje Pekinit që të heqë dorë nga trysnia dhe duke përsëritur që vetëm populli i Tajvanit mund të vendosë për të ardhmen e tij, shkruan The Guardian

Duke folur të shtunën në “Sallën e Madhe të Popullit”, Jinping tha se populli kinez ka një “traditë madhështore” të kundërshtimit të separatizmit. “Separatizmi për pavarësinë e Tajvanit është pengesa më e madhe për arritjen e ribashkimit të mëmëdheut dhe rreziku më serioz i fshehur për përtëritjen kombëtare”, tha ai në përvjetorin e revolucionit që e kishte rrëzuar dinastinë e fundit perandorake në Kinë më 1911.

“Askush nuk duhet t’i nënvlerësojë vendosmërinë e fortë të popullit kinez, vullnetin e palëkundur dhe aftësinë e fuqishme për t’i mbrojtur sovranitetin kombëtar e integritetin territorial. Detyra historike e përfundimit të ribashkimit të mëmëdheut duhet të përmbushet dhe do të përmbushet”, shtoi presidenti kinez.

Sidoqoftë, fjalimi i tij ishte me ton më të butë në krahasim me një deklaratë të muajit korrik, kur Jinping u zotua se do të thyente çdo përpjekje për pavarësi. Më 2019, ai drejtpërdrejt kishte kërcënuar me përdorim të forcës për ta sjellë ishullin nën kontrollin e Pekinit.