Pak pas mbarimit të mbledhjes së grupit të PD-së, kryedemokrati Lulzim Basha doli në një prononcim për mediat, ku foli për krizën energjetike.
Basha tha se në fakt bëhet fjalë për një krizë korrupsioni, por që qeveria e maskon si krizë energjie. Kryetari i PD-së shprehet se vetëm pak muaj më parë energjia u shit me 1/3 e çmimit që do të blihet sot.
Ai paralajmëroi se si përgjigje, PD do e vijojë me një ofensivë këtë javë me në qendër interesin bazik të familjeve shqiptare,
“Të enjten do të zhvillohet seanca plenare e javës. Jo vetëm rendi i ditës, por edhe gjendja që ka pllakosur në vend janë tregues i qartë se kemi të bëjmë jo me një krizë energjetike por me një krizë korrupsioni. Ka nisur me vendimin që në verë të zbrazej kaskada e Drinit dhe të shitej me 1/3 e çmimit që do të blihet tani energjia, pasuria hidrike e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Që ta blejnë do iu duhet të marrin borxh, borxhin do e nxjerrin nga xhepat e shqiptarëve. Kjo është arsye pse është krizë korrupsioni. Në një vend normal, me institucione normale sot nga i pari i sektorit, përgjegjës politikisht tek drejtuesit famëkeq, nga Çela i Durrësit etj, do duhej të ishin të pandehur. Ndërkohë që presim që institucionet e drejtësisë të mos zdërhallen tapeteve të kuq të vanitetit në fundjavë, por të bëjnë detyrat e tyre para shqiptarëve dhe taksave që u vidhen shqiptarëve, ne nuk mund të rrimë duarkryq.
Prandaj për ne kjo javë do të vazhdojë me një ofensivë që do ketë në qendër interesin bazik të familjeve shqiptare, sepse kjo krizë korrupsioni që po maskohet gjoja si krizë energjie, po përkthehet në një krizë rritje çmimesh të gjithëanshme.”- tha Basha.