Vendosni fjalën kyçe....

Grabitjet në kisha, procedohen penalisht dy adoleshentë në Korçë


Policia e Korçës ka zbardhur detaje nga grabitjet e ndodhura në ditët e fundit në tre kisha.

Hetimet kanë çuar tek dy të rinj, të cilët janë proceduar penalisht për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjeve të ndodhura dy ditët e fundit, ku në tre fshatra të rrethit të Korçës u vodhën kishat e tyre, bënë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar dhe filluan procedimin penal në ngarkim të tyre konkretisht shtetasve A. S., 17 vjeç (i dënuar më parë për vjedhje) dhe D. S., 16 vjeç, banues në fshatin Goskovë, Korçë.”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Hetuesit dyshojnë se dy adoleshentët, bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur në kishën e fshatit Ravonik 5000 lekë dhe një kasafortë metalike, në kishën e fshatit Porodinë 1500 lekë, si edhe kanë tentuar të vjedhin një objekt kulti në rrugën Polenë-Dërsnik.

Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe sekuestruan prova që dokumentojnë autorësinë e dy shtetasve në këto vepra penale.