Vendosni fjalën kyçe....

Rama çon shefin e “Pfizer”-it të shohë Pikën e Vaksinimit në Arenën Kombëtare: Paska shumë të rinj


Shefi i kompanisë “Pfizer” Albert Bourla ka shkuar të vizitojë nga afër pikën e vaksinimit në Arenën Kombëtare.

Ai ishte i shoqëruar nga kryeministri Edi Rama si dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila nisi t’i shpjegojë Bourla-s se si ka ecur procesi i vaksinimit në Shqipëri.

Në një moment, Borula vuri re që kishte shumë të rinj që po vaksinoheshin në ato momente.

“Po shikoni shumë profesorë dhe shumë studentë.”– tha Manastirliu.

Bourla komenton: “Shumë të rinj”.

Manastirliu vijon: “Shumë të rinj, janë shumë të rinj. Këta janë studentë, janë disa prej fakulteteve këtu, kështu që është shumë e lehtë për ta që të vijnë të marrin këtu vaksinën.”

Arsyeja se përse sot ka shumë të rinj që po vaksinohen, lidhet me shtyrjen e mësimit në Universitete me një javë, pasi kjo javë është vendosur t’i dedikohet pikërisht vaksinimit të kësaj kategorie.

Kujtojmë se 500,000 doza të vaksinës Pfizer pritet të mbërrijnë në mesin e tetorit.