Guvernatori i Teksasit Greg Abbott ka nxjerrë një urdhër ekzekutiv që ndalon të gjitha organizatat, përfshirë kompanitë private, të zbatojnë vaksinimet me detyrim në shtet.
Greg Abbott, një republikan, ka qenë një nga udhëheqësit më të zëshëm në SHBA që kundërshtoi bërjen e detyrueshme të vaksinave të koronavirusit.
Ai ka nxjerrë urdhra të ngjashëm më parë, por ky është i pari që përfshin punëdhënësit privatë dhe klientët e tyre.
Shumë e shohin detyrimin e vaksinave si shkelje të lirive personale. Guvernatori u ka bërë thirrje ligjvënësve të shtetit që të miratojnë këtë me ligj.
“Vaksina Covid-19 është e sigurt, efektive dhe mbrojtja jonë më e mirë kundër virusit, por duhet të mbetet vullnetare dhe kurrë e detyruar.”- tha Abbott në një deklaratë, citon BBC.
Ky veprim do të kundërshtojë thirrjet e presidentit demokrat Joe Biden, i cili u bëri thirrje firmave muajin e kaluar që të detyrojnë stafin e tyre të vaksinohen.
Në fillim të këtij viti guvernatori hoqi kërkesën për të mbajtur me detyrim maskat në shtet. Ai gjithashtu nënshkroi një urdhër ekzekutiv në gusht kundër vaksinimeve të detyrueshme për njerëzit që punojnë në agjencitë qeveritare, përfshirë shkollat publike dhe universitetet.
Gjykatat e Teksasit po përballen me sfida të shumta për heqjen e kërkesës për të mbajtur maska për fytyrën.