Vendosni fjalën kyçe....

Krerët e G20 bien dakord për rritje të ndihmës ndaj Afganistanit


Krerët e G20-ës ranë dakord gjatë një samiti online që të punojnë së bashku për të shmangur një katastrofë humanitare në Afganistan.

Bashkimi Evropian premtoi një pako ndihme prej miliard euro ndërsa Italia, si nikoqire e samitit, theksoi nevojën që komuniteti ndërkombëtar të mbajë kontakte me talibanët.

Pjesëmarrës në samitin online që i zhvilloi punimet të martën (12 tetor) ishin edhe presidenti amerikan, Joe Biden, ai i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe i Indisë, Narendra Modi.

Që kur talibanët morën kontrollin e vendit në muajin gusht, pas prezencës 20-vjeçare ushtarake të prirë nga Shtetet e Bashkuara, kryeministri italian, Mario Draghi kishte bërë presion që debati për zgjidhjen e krizës në këtë vend duhet të zhvillohet përtej grupit të aleatëve të zakonshëm perëndimor.

“Ne tani kemi një vetëdije për këtë emergjencë dhe përgjegjësitë e mëdha që G20 ka ndaj popullit afgan”, tha ai në një konferencë shtypi pas samitit të vendeve më të zhvilluara të botës.

“Të shikosh 40 milionë njerëz sesi zhyten në kaos nuk mund dhe nuk duhet të jetë qëllimi i bashkësisë ndërkombëtare”, u tha gazetarëve kancelarja gjermane në largim, Angela Merkel.

Presidenti kinez, Xi Jinping dhe ai rus, Vladimir Putin, nuk morën pjesë në samit, por dërguan përfaqësues.

BE-ja theksoi se paratë e saj do të shkojnë për organizatat ndërkombëtare që punojnë në terren dhe jo për qeverinë e përkohshme të talibanëve, e cila nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.