Zyra Arsimore e Tiranës ka pezulluar nga puna dy mësueset e shkollës ‘Çajupi’ në Tiranë, të cilat u përfshinë në një sherr fizik masiv bashkë me familjarët e tyre mëngjesin e djeshëm.
Mësueset në fjalë do qëndrojnë të pezulluara deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Përplasja ndodhi ditën e djeshme në një lokal pranë shkollës. Fillimisht në sherr u përfshinë dy mësueset e më pas atyre u janë bashkuar edhe familjarët.
“Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë, pasi konfirmoi zyrtarisht nga organet kompetente përfshirjen e dy mësueseve të shkollës së mesme “Andon Zako Cajupi” në konfliktin ditën e djeshme jashtë ambienteve të shkollës, ka kërkuar nga Institucioni Arsimor mbledhjen e komisionin e etikës dhe disiplinës për vlerësimin e rastit në fjalë. Komisioni menjëherë pas kërkesës mori vendimin për pezullimin e dy mësueseve nga puna deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Dëshirojmë të garantojmë opinionin publik dhe prindërit e nxënësve në veçanti, se për çdo punonjës arsimor i cili përfshihet në ngjarje që cënojnë integritetin e profesionit, apo figurën e lartë të mësuesit, institucionet tona do të veprojnë pa asnjë tolerim, duke u mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.” – thuhet në njoftimin e Zyrës Arsimore të Tiranës..