Ndonëse qeveria po përpiqet ta justifikojë rrënimin financiar të sektorit energjetik me krizën që po ndodh në tregun botëror, e vërteta është se qytetarëve po u ngarkohet fatura e një krize korrupsioni. Kjo nuk është demagogji, por matematikë. Konsideroni 4 vitet e fundit.
Në periudhën 2018-2021, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka shitur rreth 4 Terra Vat energji elektrike në tregun e parregulluar duke arkëtuar plot 200 milionë euro. Këto janë të ardhura shtesë, veç të ardhurave të garantuara për mbulimin e kostove të operimit, mirëmbajtjes dhe investimeve në Kaskadë. Pse?
Çdo vit KESH shet 3.9 terra vat energji tek OSHEE për të furnizuar familjet dhe biznesin. Mbi këtë sasi, Ministria e Energjisë i përcakton KESH një çmim shitje të tillë, i cili garanton të ardhurat e nevojshme për të mbuluar plotësisht kostot e operimit të Kaskadës, por edhe investimet në HEC-e. Aktualisht ky çmim është 1.5 lekë për kilovat dhe i siguron KESH-it 6 miliardë lekë ose rreth 50 milionë euro të ardhura në vit.
Pra për ta thënë shkurt, KESH ka nevojë për 50 milionë euro në vit që të operojë Kaskadën e Drinit si dhe të financojë investimet për të cilat ajo ka nevojë. Por arkëton mesatarisht dyfishin e kësaj shume ose 100 milionë euro në vit. Pyetja tani shtrohet, ku kanë shkuar 200 milionë eurot shtesë që KESH arkëtoi në katër vitet e fundit?
Përgjigja është një; në tendera. Shpesh në tendera të çuditshëm, që nuk kanë lidhje as me sigurinë e furnizimit të vendit me energji, as me rritjen e efficencës në prodhimin e energjisë. Vetëm këtë vit ka dy shembuj ulëritës, të cilat tregojnë qartë se sa babëzisht menaxhohet Korporata Elektroenergjetike.
Në shkurt të këtij viti, KESH hapi një tender 20 milionë euro për ndërtimin e një rruge nga hidrocentrali i Vaut të Dejës në atë të Komanit. Në fakt ajo është një rrugë ekzsituese nacionale, që i përket Autoritetit Rrugor Shqiptar. Por babëzia për tendera kishte arritur deri në atë pikë, sa që KESH po bënte dhe tendera rrugësh. Tenderi u anullua për shkak se kompanitë u ankuan për korrupsion dhe më vonë filloi kriza energjetike. Por ky nuk është rasti i vetëm. KESH ka bërë tendera për parkime, për mole jahtesh dhe tragetesh, për zbukurim rrugësh me drita etj. Këtu fluturuan 200 milionë eurot.
Nëse 200 milionë eurot do të ishin përdorur për të krijuar fondin e garancisë, një instrument i cili mbledh paratë në vitet e mira energjetike për t’i përdorur në kohe te veshtira, sot Shqipëria nuk do të kishte asnjë krizë energjetike. Çmimi i energjisë për biznesin e mesëm dhe të madh nuk do të kishte nevojë të rritej dhe borxhi publik i vendit nuk do të shtohej me 200 milionë euro për shkak të garancisë sovrane.
Në fakt, fondi i garancisë nuk është një projekt abstrakt. Krijimi i këtij instrumenti ka qenë në plan që në vitin 2010. Por babëzia për të bërë tendera ka qenë më e fortë se sa nevoja për të siguruar furnizimin e vendit me energji ndaj fondi ka mbetur thjesht në letër.
Shifrat tregojnë qartë se sektori energjetik shqiptar është i aftë të garantojë plotësisht furnizimin e vendit me energji edhe në kohë krizash globale si kjo, pa patur nevojë të zhytet në borxhe, të marrë subvencione nga buxheti i shtetit apo të rrisë çmimet për qytetarët. Ndaj tani ka ardhur koha, që kompanitë publike të energjisë të vihen të gjitha nën hetim. Çdo tender, çdo qindarkë e shpenzuar dhe çdo transaksion për shitje apo shkëmbim energjie. Sepse është e qartë që kjo është krizë korrupsioni, e cila ka përgjegjës me emra.