Vendosni fjalën kyçe....

Tenderi 3 miliardë lekë për uniformat e policisë, shkon në gjykatë dosja e 9 zyrtarëve


Prokuroria Speciale ka çuar për gjykim çështjen e tenderit për unifiormat e policisë në Ministrinë e Brendshme.

Nëntë personat që akuzohen si të përfshirë në çështjen në fjalë do dalin para Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

Të arrestuarit akuzohen për korrupsion në tenderin me vlerë rreth 3 miliardë lekë. Ata janë ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara  Edlira Naqellari, anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleivis Hasani, Anisa Bogdani si dhe  anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali e Gëzim Mingaj.

Ata u arrestuan në korrik të vitit 2021.

“Nga aktet e administruara ka rezultuar se me datë 11.05.2020 në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me objekt “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, për 4 vjet, me fond limit 2.800.347.570 (dy miliard e tetëqind milion e treqind e dyzet e shtatë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekë (pa TVSH).  Nga hetimi kanë rezultuar veprime të kundërligjshme të bëra nga: titullari i Organit Qendror Blerës, Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari dhe bashkëpunëtorë, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, kanë favorizuar bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke sjellë si pasojë cenimin e lirisë së pjesëmarrësve në tendera dhe krijimin e avantazheve të padrejta për palët e treta.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.