Vendosni fjalën kyçe....

Tjetër lajm i keq për Kombëtaren Shqiptare para sfidës me Poloninë, edhe Klaus Gjasula konfirmohet me Covid-19


Një tjetër lajm i keq për kombëtaren shqiptare, që mesiguri do t’i ketë dhënë dhimbje koke trajnerit, Edy Reja.

Pas Sokol Çikalleshit, edhe mesfushori Klaus Gjasula ka rezultuar pozitiv në testin për Covid-19.

“Një tjetër futbollist do t’i mungojë Kombëtares shqiptare në sfidën vendimtare ndaj Polonisë, që luhet këtë të martë në stadiumin ‘Air Albania’ të Tiranës. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mesfushori Klaus Gjasula nuk do të jetë në dispozicion të skuadrës, pasi rezultoi pozitiv me Covid-19.
Futbollisti kuqezi ka pasur simptoma dhe ka bërë menjëherë testin me tampon, ku më pas ka rezultuar pozitiv. Në këto kushte në bazë të protokollit sanitar i gjithë ekipi dhe stafi teknik kanë kryer sërish testin me tampon dhe të gjithë kanë rezultuar negativ.
Klaus Gjasula bëhet kusht mungesa e pestë e kuqezinjve në ndeshjen shumë të rëndësishme ndaj Polonisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit ‘Katar 2022’.”– bëhet me dije në njoftimin e FSHF-së.

Përveç mesfushorit, trajnerit Reja do t’i mungojnë edhe Bekim Balaj e Berat Gjimshiti të dëmtuar, Endi Çekiçi i skualifikuar dhe Sokol Cikalleshi, i cili gjithashtu ka rezultuar pozitiv me Covid-19 në testet e një dite më parë.