Vendosni fjalën kyçe....

Borrell kritikon Kosovën pas tensioneve në veri: Të papranueshme aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara


Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell ka reaguar pas situatës së krijuar sot në veri të Kosovës pas një aksioni policor.

Borrell bëri thirrje për ndalimin e incidenteve të dhunshme në veri, ndërsa kritikoi Policinë e Kosovës për veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën.”- ka shkruar ai në një postim në “Twitter”.

Operacioni policor kundër kontrabandës i realizuar mëngjesin e sotëm në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut, është shoqëruar me tensione. Ka patur përplasje mes banorëve serbë dhe policisë së Kosovës, por edhe sulme ndaj gazetarëve që po raportonin live zhvillimet atje.

Policia ka konfirmuar se 6 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre 5 zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe 1 i nacionalitetit serb.