Vendosni fjalën kyçe....

“Mbrojtja e fëmijëve në mediet audiovizive” – Krasniqi: Do rishikojmë Kodin e Transmetimit


Është mbajtur sot në Tiranë një Konferencë Ndërkombëtare me temë “Mbrojtja e fëmijëve në mediet audiovizive”, organizuar nga Autoritet i Mediave Audiovizive.

Gjatë fjalës së saj, kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi tha se AMA do të vijojë monitorimin e rregullt dhe të rreptë për zbatimin e dispozitave që rrjedhin nga Kodi i Transmetimit dhe forcimin e penaliteteve për OSHMA-të që shkelin dispozitat e këtij kodi për mbrojtjen e fëmijëve.

“Kontributi për mbrojtjen e fëmijëve është kontributi më thelbësor që mund të jepet për një shoqëri dhe të ardhmen e saj. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ndikimi i mediave audiovizive tek fëmijët mund të çojë në sjellje agresive, mund të trembë fëmijët, mund të ofrojë heronj të dhunshëm për të imituar dhe mbi të gjitha shpesh krijon bindjen se tregon se dhuna është normë shoqërore. Në një kohë kur zhvillimi teknologjik po na përball me sfida shumëdimensionale, detyra e medias është mbi të gjitha mbrojtja e interesave më të larta shoqërore përmes edukimit dhe mbrojtjes së fëmijëve.”-deklaroi Krasniqi.

Ajo u shpreh se në bazë të strategjisë së AMA-s për vitin 2021-2023 do të rishikohet Kodi i Transmetimit: “Rishikimi do kryhet nga AMA në konsultim të gjerë me të gjithë aktorët relevantë në këtë fushë. Unë edhe dje shfrytëzova mundësinë nga Konferenca e OSBE dhe po e përsëris edhe sot, apelin për sa më shumë kontribut dhe gjithëpërfshirje në rishikimin e këtij Kodi, pasi besoj se shumësia e ideve bën një Kod që i shërben dhe prek e mbulon shumë komponentë të kohës që jetojmë. Pranë AMA-s, prej muajit prill 2016, funksionon Këshilli i Ankesave. Që nga nisja e punës e deri më sot Këshilli i Ankesave ka shqyrtuar mbi 570 të tilla. 178 prej të cilave kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të fëmijëve”.

Në këtë konferencë morën pjesë gjithashtu Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro, ekspertë nga Britania e Madhe, Belgjika, Gjermania si dhe profesorë e ekspertë të fushës nga vendi dhe rajoni. 

Themeluesi dhe drejtor i Wagner-Hatfield (Belgium) Jean-François Furnémont në fjalën e tij  theksoi nevojën e marrjes së masave të për të mbrojtur të miturit.

“Ne e dimë të gjithë që balancimi i nevojës për të mbrojtur audiencën me detyrën për të mbrojtur të drejtën dhe lirinë e fjalës ka qenë një nga parimet themelore të rregullatorëve të mediave dhe veçanërisht në fushën e mbrojtjes së të miturve. Shqetësimi ka qenë prezent në të gjithë mjedisin e medias me të gjitha masat rregullatore dhe të mbrojtjes dhe tashmë është rritur kjo panoramë e medias me të gjithë mediat sociale dhe daljen e platformave të reja dixhitale, me të gjitha këto ndryshime radikale, mënyrat e reja sesi fëmijët mund të ekspozohen ndaj përmbajtjeve potencialisht të rrezikshme dhe llojet e reja të rreziqeve potenciale.” – nënvizoi Furnémont.