Një denoncim vjen nga Partia Demokratike lidhur me krizën Energjetike. Deputeti dhe Sekretari i Grupit Parlamentar të PD-së Arbi Agalliu, ka akuzuar qeverinë se po ia faturon tregjeve ndërkombëtare krizën, e cila sipas tij i ka themelet në abuzimin e tenderave me miliona euro që zhvillon OSSHE.
“Përshendetje të nderuar qytetarë! Sot dëgjuam se si qeveria i faturon tregjeve ndërkombëtare krizën të cilën e artikulon përdite. Por në të vërtetë problemi është tjetërkund.
Kjo është një krizë korrupsioni, kjo krizë i ka themelet në abuzimin e tenderave me miliona euro që zhvillon OSSHE.
Kjo krizë buron nga punësimi në administratën publike dhe në OSSHE të qindra patronazhistëve që paguhen nga taksat e shqiptarëve. Kjo krizë e ka themelin në abuzimin dhe vjedhjen që bëhet në këtë sektor. Ne nuk kemi asnjë investim real në sektorin e energjisë në Shqipëri.”– shprehet deputeti demokrat.
Gjatë fjalës së tij, Agalliu thekson se qeveria nuk ka thënë asgjë se çfarë do të ndodhë me çmimin e energjisë elektrike për biznesin e madh. Sipas tij, nëse biznesi i madh do të preket, kjo do të ndikojë automatikisht në xhepat e konsumatorëve që blejnë mallra dhe shërbime pikërisht nga biznesi i madh.
“Dëgjuam qeverinë sot se si tha që nuk do të rritet çmimi i energjisë elektrike për konsumatorin dhe për biznesin e vogël, por në asnjë moment nuk dëgjuam se çfarë do të ndodhë me çmimin e energjisë elektrike për biznesin e madh.
Është e pashmangshme nëse do të kemi rritje të çmimit të energjisë elektrike për këtë sektor të mos preket qytetari shqiptar.
Njerëzit, qytetarët, konsumatorët, blejnë produkte dhe shërbime që ofrohen nga biznesi i madh dhe në këtë kontekst xhepi i çdo shqiptari do të rëndohet në mënyrë të pashmangshme.
Të nderuar qytetarë! Kriza nuk vjen nga rritja e çmimit të tregjeve ndërkombëtare. Kriza i ka themelet pikërisht në abuzimet dhe në korrupsionin që kjo qeveri bën.”– shprehet më tej Agalliu.