Vendosni fjalën kyçe....

Shefja e ISHP-së pas ndeshjes me Poloninë: Pritet rritje e infektimeve


Drejtoresha e Shëndetit Publik, Albana Fico ka komentuar grumbullimin masiv të njerëzve në stadiumin “Air Albania” ku u zhvillua mbëmjen e kaluar ndeshja e kombëtares sonë me Poloninë.

Zonja Fico e konsideroi të rrezikshëm grumbullimin e tifozëve, duke paralajmëruar se kjo do të sillte një rritje të të padiskutueshme të rasteve.

“Të mbrojmë veten. Askush nuk duhet vënë në provën e tmerrshme të fajësimit të vetes, që për një gjë që nuk dëgjoi, një vaksinë që nuk e bëri, një masë që nuk e zbatoi, për faktin se shkohet te Arena me 22 mijë tifozë aty dhe pastaj pritet nesër çudia historike. Jo nuk pritet.

Pritet të të ketë norma të larta infeksioni të ndjekur nga shtrime spitalore dhe persona që vdesin me ato mënyrat që i kemi shpjeguar me ato numra që i kemi shpjegur disa herë me 10-15 në ditë. Çdo njeri vlen. Çdo njeri është nëna, baba, motra dhe vëllai i dikujt tjetër. Çdo njeri që nuk ka bërë asnjë gjë, por ka harruar të bëjë gjënë kryesore, të vaksinohet, mund të jetë aty.”– deklaroi Fico, gjatë një takimi me studentët e Elbasanit.

Ndeshja e mbrëmjes së kaluar, ku Shqipërisë iu shua ëndrra për t’u kualifikuar për kampionatin botëror, vjen në një kohë kur vendi ynë po përjeton një rritje drastike të rasteve me COVID-19 për shkak të variantit Delta.