Vendosni fjalën kyçe....

A i sakrifikoi produksioni Albi Nakon dhe Erjona Rusin? Përse nuk folën autorja dhe prezantuesja e programit?


Prej 3 ditësh rrjetet sociale dhe portalet gumëzhinë nga akuzat për bullizëm ndaj një programi televiziv që ka në qendër fëmijët dhe nënat e tyre. “T’ka mami yll” në të cilin fëmijë të moshave 10-15 vjeç konkurojnë në fushën e kërcimit, u vu në qendër të sulmeve pasi një vajzë e vogël pak topolake u bë pjesë e programit dhe u vu në qendër të vëmendjes për shkak të batutave të përdorura nga anëtarët e jurisë, koreografi Albi Nako, balerina Riselda Sejdia dhe gazetarja Erjona Rusi.

Që të 3 personazhet u vunë në qendër të akuzave se e kishin bullizuar vogëlushen, por në veçanti sulmi në rrjet u përqendrua tek Nako dhe Rusi për shkak të fjalëve që kishin përdorur ndaj vajzës. Këta të dy dolën dje në programin e pasdites në Televizionin ABC, duke shpjeguar se asgjë nuk ishte bërë në mënyrë të qëllimshme për të sulmuar fëmijën, e madje i kërkuan falje prindërve të saj për gjithë situatën ku i kishin vendosur.

Gjithkush mund të mendojë që tashmë që gjërat u sqaruan nuk ka më të për folur për atë që ndodhi në program. Por nëse bëjmë një analizë pak të ftohtë përtej sulmeve gjaknxehta e plot mllef që ndodhin rëndom në rrjet sa herë ka situata të tilla, ka disa pyetje që kërkojnë përgjigje.

Së pari, përse një nga koreografët më të famshëm në Shqipëri si Albi Nako (djali i mjeshtrit të madh të baletit Llaqi Nako), i cili prej dekadash ka përgatitur dhjetra talente që kanë interpretuar edhe në skenat e Europës, do të dilte në programin e tij televiziv duke bullizuar një fëmijë kur mijëra prindër i kanë besuar ndër vite fëmijët e tyre Akademisë së tij të kërcimit dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë duke i besuar punës së tij?

Së dyti, përse një gazetare me vite të tëra eksperiencë si Erjona Rusi, që ka drejtuar disa programe televizive dhe për vite me radhë ikonë e edicioneve të lajmeve në ekrane të ndryshme, që ka raportuar që nga Kosova e deri në Lindjen e Mesme do të pranonte të sulmonte një vajzë të vogël në ekran kur ka mbi 10 vjet që “bërtet fort” nëpër emisione televizive e me shkrimet apo videot e saj kundër dhunës, përdhunimit, e denigrimit të vajzave e grave?

A mos vallë që të dy vendosën papritur t’i fusin shkelmin gjithë karrierës dhe mundit të tyre se u çmendën, apo ishte thjesht një gabim?

Së treti, përse nuk u prononcua në asnjë moment, autori, kryeredaktori, apo regjisori i programit? Vërtet të gjithë këta qëndrojnë pas kuintave të një programi televiziv, pra nuk shfaqen në ekran por janë pikërisht ata që kanë përgjegjësinë më të madhe në “gatimin” e një formati të tillë. Aq më tepër që siç pohuan vetë anëtarët e jurisë, emisioni nuk është në transmetim të drejtpërdrejtë, por regjistrohet e më pas përpunohet në montazh, çka e shton përgjegjësinë e atyre që duhet ta kishin parë me sy kritik çdo deklaratë të gabuar apo të pavend të anëtarëve të jurisë.

Sipas faqes në Instagram të vetë spektaklit, rezulton që Zefina Hasani të jetë në krye të këtij stafi, dhe bëhet fjalë për një autore me shumë eksperiencë, e disa prej spektakleve më të famshme në vend si “Big Brother”, “Hell’s Kitchen”, “Dancing with the Stars” etj. Hasani ka reaguar disa herë publikisht në situata të ndryshme, si në 2016-ën kur u largua nga “The Voice of Albania” pasi ishte kundër performancës së Ledri Vulajt, apo kur shkroi kundër deklaratës së Alketa Vejsiut në Sanremo.

Zefina Hasani

Por çuditërisht, kësaj here ajo nuk bëri asnjë reagim, qoftë në rrjetet sociale apo të dilte publikisht e të mbante përgjegjësinë e saj si hallka më e rëndësishme e këtij produksioni televiziv. Sepse janë autorët ata që përcaktojnë se kush bëhet apo nuk bëhet pjesë e programit, dhe është e vështirë të besosh që vajza e vogël u bë pjesë e emisionit pa dijeninë apo miratimin e saj. Dhe nëse ishin vetëm anëtarët e jurisë ata që gabuan, a nuk duhej autorja të reagonte qoftë sa për të mbajtur të njëjtin qëndrim zyrtar të programit e për të mohuar bullizmin e për të konfirmuar që asgjë nuk kishte qenë e qëllimshme kundër kësaj vajze të vogël?

Të njëjtën pyetje mund ta bëjmë dhe për prezantuesen e këtij programi Ilda Bejlerin, moderatorja sportive e cila ka prezantuar disa formate, si “Procesi Sportiv” përkrah Edi Manushit. Përse Ilda nuk mbajti asnjë qëndrim në mbrojtje të kolegëve të saj në këtë format që ajo vetë prezanton? Përse Bejleri nuk shpjegoi për qindra mijëra fansat e saj (mbi 400 mijë ndjekës) se ajo që ndodhi në program nuk ishte aspak bullizëm, por një gabim duke qëndruar në unison me jurinë e këtij spektakli? I vetmi reagim që Bejleri bëri në faqen e saj të instagramit ishte publikimi i një fotoje me vajzën e vogël ku shprehet: “Edhe pse kemi të përbashkët që na pëlqen të hamë gjërat që duam ne përsëri ëndrrat tona do t’i çojmë deri në fund”. A mos vallë me këtë fjali, Ilda “tradhëtoi” kolegët e saj Albi Nako e Erjona Rusi duke i nxjerrë ata të dy si “të poshtrit” që ishin tallur me vogëlushen ndërsa ishte e vetmja ajo që e përkrahte fëmijën?

Pikëpyetjet shtohen pasi ishte websajti kryefjala.news që bëri një lajm të posaçëm për këtë reagim duke e portretizuar Ildën si personazhin gjithmonë të dashur që përgjigjet me pozitivitet. Por për ata që ndjekin sadopak botën e showbizit, duhet ta dinë që ky portal i përket blogerit Olti Curri, i cili është një nga miqtë më të ngushtë të Bejlerit.

Në faqen e saj në Instagram ka me dhjetra foto të tyre ndërsa ata mund t’i shohësh shpesh bashkë në evenimente të ndryshme. Ishte pikërisht Curri, një ndër të parët që postoi videon e vogëlushes në program duke i hedhur benzinë zjarrit të akuzave për bullizëm. Po përse Ilda nuk i kërkoi ndihmë mikut të saj bloger për të shpjeguar këtë situatë të pakëndshme që ndodhi në emisionin që ajo vetë drejton e për të cilin natyrisht ka përgjegjegjësinë e saj si moderatore? A mos vallë Ilda e “shfrytëzoi” Currin dhe gjithë influencën e tij në rrjetet sociale (blogeri ka mbi 500 mijë ndjekës në FB e Instagram bashkë) për të dalë vetë si “ëngjëlli” mbrojtës i këtij fëmije që 2 kolegët e saj “të poshtër” akuzohen se e bullizuan?

Ilda Bejleri dhe Olti Curri

E njëjta pyetje vlen natyrisht për regjisorin e programit, drejtorin artistik nëse ka një të tillë, apo edhe pjesën tjetër të stafit.

Këto pyetje mund të tingëllojnë tendencioze, por mos harroni se lufta brenda llojit është ajo më e ndyra, si në politikë ashtu edhe në media apo në botën e showbizit.  

Ndaj ka vetëm një pyetje që nuk ka marrë ende përgjigje: A e sakrifikoi produksioni i emisionit “T’ka mami yll” koreagrafin e njohur Albi Nako dhe gazetaren Erjona Rusi në gjithë këtë histori akuzash e përbaltje?/Hashtag.al