Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i është përgjigjur kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, i cili ngriti pyetje se ku demokratët e kishin marrë dokumentin, tek i cili bazuan kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor për çështjen “Becchetti”.
Bardhi tha se dokumenti nuk është konfidencial, ndryshe nga sa pretendon maxhoranca, që sipas tij po shkel ligjin duke penguar ngritjen e këtij komisioni.
“Sot është një nga ato rastet ulëritëse, flagrante ku Edi Rama ka vendosur të grisë ligjin për komisionet hetimore për të mos lejuar opozitën që të faktojë zyrtarisht korrupsionin e Edi Ranës,. Ai personalisht qëndron në krye të skemës për t’ju marrë ju 120 milion euro dhe për të ia dhënë një biznesi italian në luftën që e nisi si hakmarrje personale.
Kjo është një seancë ku Edi Rama duke grisur ligjin, Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, merr peng qytetarët. Ai ecën me parimin ‘tjetër themi e tjetër bëjmë’. Çdo shqiptar e mban mund për betimin e kryeministrit për sjelljen e re të maxhorancës në Kuvend. Askush nuk kishte dyshimin më të vogël se ato do të ndodhnin sepse ajo sjellje pritet nga një maxhorancë legjitime, kryeministër legjitim, në një vend normal me Parlament normal. Ky fatkeqësisht nuk është rasti i Shqipërisë, nuk kemi as maxhorancë legjitime, as kryeministër legjitim. E keni vazhduar duke na hequr të drejtën e fjalës, e duke na caktuar minutazh se sa duhet të flasim. Po e kulmoni me këtë seancë me tentativën për të na mohuar një të drejtë që na njeh kushtetuta.
Ajo që po bëni sot është që po pengoni për pak kohë ngritjen e këtij Komisioni deri sa të shprehet Gjykata Kushtetuese. Ju dolni të ndalni transparencën. Kërkoni ta mbani në errësirë dhe me këtë akt ju vetë denoncoheni. Ju vendosni fatin e Edi Ramës përpara fatit të fëmijëve tuaj. E di që jo të gjithë ju ndani të njëjtin moral të pisët me Edi Ramën. E di që socialistët e ndershëm nuk duan t’ju shohin kokë ulur. Duke shkatërruar vendin ditë pas dite sepse fëmijët që ikin nga vendi janë edhe fëmijët e tyre.
Sot jemi më të vendosur se kurrë për t’u përballur me të keqen. E bëjmë edhe për ju që heshtni, edhe për socialistët. Ne nuk do heshtim për krimet e rënda ndaj qytetarëve shqiptarë.
Argumentat që dëgjova këtu janë mjerane sepse janë pretekst. Ku bazoheni ju që mohoni të drejtën e opozitës për këtë komision hetimor, tek një shkresë thoni e avokatit të shtetit. E para, Avokati i shtetit është në konflikt interesi me këtë komision sepse do të jetë objekt hetimor i këtij komisioni. Të mos hetohet, sepse cënohet interesi publik thoni ju. Me logjikën tuaj as Prokuroria nuk mund të hetojë, sepse u dëmtoka interesi publik. Nuk ka as jurist e sa qytetar që e pranon këtë.
Avokatura ka gënjyer me dashje në shkresën dërguar Kuvendit. Procesi në arbitrash nuk ka përfunduar thotë. Kjo është gënjeshtër, procesi ka përfunduar dhe ka nisur procesi i detyrimit. Po ka edhe një proces në GJENJ dhe është konfidencial. Por kjo s’ka të bëjë me këtë vendim kemi kërkuar ne të hetohet. Shtetit shqiptar i është shtuar një djetër detyrim, 1.7 milionë dollar. Ja ku është vendimi, me firma, me vulë dhe mund të merrni një kopje meqë keni merakun e konfidencialitetit. Nuk ka vendim konfidencial.”- tha Bardhi.