Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka rritur ndjeshëm parashikimin për ecurinë ekonomike të Shqipërisë për vitin 2021. Sipas vlerësimit të fundit të FMN-së, vendi pritet të zgjerohet me 7.8% për vitin 2021, nga 5% që ishte parashikimi në raportin e muajit mars, pas një tkurrjeje prej 3.3% gjatë pandemisë së 2020-s.
Fillimisht, Pasqyra Ekonomike Globale e tetorit, e publikuar së fundmi nga FMN, vlerësonte se ekonomia do të rritej me 5.3%, por parashikimi u rishikua nga Misioni që ishte në Shqipëri dy javët e fundit, si rrjedhojë e ecurisë së mirë të 3-mujorit të dytë, kur vendi u rrit me gati 18%.
Në këto nivele, Shqipëria ka pritshmërinë për rritjen më të madhe në rajon, sipas të dhënave të tjera të Pasqyrës Ekonomike Globale, një publikim i FMN-së.
Më herët ishte Banka Botërore që parashikoi se ekonomia shqiptare do të rritet me 7.2% këtë vit. Në raport me parashikimin e qershorit, pritshmëria për ecurinë ekonomike këtë vit është përmirësuar nga Banka Botërore me 2.8 pikë përqindje.
Tendenca e rritjes së çmimeve do të vijojë
FMN pret, sipas Pasqyrës Ekonomike Globale, që inflacioni në Shqipëri të përshpejtohet. Në shtator, sipas INSTAT, indeksi i çmimeve të konsumit ishte 2.5%, më i larti që nga janari 2017. Tendenca në rritje pritet të vijojë në afatin e mesëm. Për vitin 2022, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash, pritet të arrijë në 2.3% dhe deri në vitin 2026 të shkojë në 3%, që është dhe objektivi i shënjestruar i Bankës së Shqipërisë, sipas parashikimeve të FMN-së.
Rajoni me shpejtësi të ndryshme rimëkëmbje
Pas Shqipërisë, në rajon, rritjen më të lartë pritet që ta ketë Mali i Zi (+7%), i cili është dhe vendi që pa tkurrjen më të lartë nga pandemia në 2020-n, me një tkurrje prej -15.2%.
Për qëndrueshmërinë ndaj pandemisë dhe rikuperimin e lartë, më mirë vlerësohet Serbia, që sipas FMN-së, pas një tkurrjeje prej vetëm 1% në 2020-n pritet të shënojë një rritje të lartë prej 6% këtë vit.
Në Kosovë, rritja pritet të jetë 6%, pas tkurrjes me 5.3% vitin e kaluar. Maqedonia e Veriut do të zgjerohet me 4% dhe e fundit në rajon është Bosnjë Hercegovina, për të cilën FMN pret një rritje minimale prej 2.8%, pas rënies me 4.3% në vitin pandemik.
FMN rishikon me ulje pritshmërinë për rritjen ekonomike globale, nga pandemia
Sipas “Pasqyrës Ekonomike Globale” të tetorit 2021, rimëkëmbja globale vazhdon, por vrulli është dobësuar, si rrjedhojë e pandemisë. Pas përhapjes së variantit shumë të transmetueshëm Delta, numri i regjistruar global i vdekjeve nga COVID-19 është rritur afër 5 milionë dhe rreziqet për shëndetin janë të shumta, duke penguar një kthim të plotë në normalitet.
Përhapja e pandemisë në lidhjet kritike të zinxhirëve të furnizimit global ka çuar në një ndërprerje të furnizimit më të gjatë se sa pritej, duke ushqyer më tej inflacionin në shumë vende. Në përgjithësi, rreziqet për perspektivat ekonomike janë rritur dhe reagimet e politikave janë bërë më komplekse.
Krahasuar me raportin e korrikut, parashikimi i rritjes globale për vitin 2021 është rishikuar në ulje në 5.9 për qind (0.1 pikë përqindje më pak) dhe është mbajtur i pandryshuar për vitin 2022, në 4.9 për qind.
Diferencat janë të mëdha mes vendeve. Perspektiva për grupin e vendeve me zhvillim me të ardhura të ulëta është dobësuar ndjeshëm për shkak të përkeqësimit të dinamikës së pandemisë. Rishikimi në ulje gjithashtu pasqyron perspektiva më të vështira afatshkurtra për grupin e ekonomive të përparuara, pjesërisht për shkak të ndërprerjeve të furnizimit.
Duke kompensuar pjesërisht këto ndryshime, parashikimet për disa eksportues të mallrave janë përmirësuar për shkak të rritjes së çmimeve të mallrave. Ndërprerjet e lidhura me pandeminë në sektorët që kanë kontakte intensive kanë bërë që rimëkëmbja e tregut të punës të vonojë ndjeshëm rigjallërimin e prodhimit në shumicën e vendeve.
Rreziqet e inflacionit janë rritur dhe mund të materializohen nëse mospërputhjet e ofertës dhe kërkesës nga pandemia vazhdojnë më gjatë nga sa pritej, duke ushtruar presione më të qëndrueshëm të çmimeve dhe rritje të pritjeve të inflacionit, që nga ana e tyre do të nxisin një reagim më të shpejtë të politikave monetare nga ekonomitë e përparuara, sesa pritej.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor