Vendosni fjalën kyçe....

Koncesioni i portit turistik në Vlorë, qeveria miraton kontratën e qirasë me vlerë 1 Euro


Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e të mërkurës kontratën e qirasë me vlerë një euro për koncesionin e ndërtimit të një porti turistik në Vlorë, një projekt që u fitua nga bashkimi i disa operatorëve në fillim të këtij viti.

“Dhënie e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë, me tarifën 1 (një) euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe Bashkimit të Shoqërive (JV), “Marina di Valona”, sh.p.k., me, “Brunes”, sh.p.k., me, “Ndregjoni”, sh.p.k., me, dhe “Marina Projects” LTD, me numër regjistrimi 04182366, si qiramarrës, për pronën e paluajtshme shtetërore në zonën kadastrale nr.8602, Bashkia Vlorë, pjesë e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike, sipas dokumentacionit të pronësisë, planvendosjes, listës së pasurive dhe tekstit të projektkontratës, që i bashkëlidhen këtij vendimi” thuhet në vendimin e qeverisë sa i takon kësaj kontrate.

Të ngarkuar për zbatimin e këtij vendimi sipas qeverisë janë  Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, Agjencia Shtetërore e Kadastrës Vlorë dhe Bashkimi i Shoqërive (JV), “Marina di Valona”, sh.p.k., me, “Brunes”, sh.p.k., me, “Ndregjoni”, sh.p.k., me, dhe “Marina Projects” LTD, me numër regjistrimi 04182366.

Projekti i portit turistik

Kompanitë që u shpallën fituese nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për portin turistik të Vlorës do të investojnë për ndërtimin e tij 22.8 milionë euro pa TVSH. Koncesioni do të ketë një afat 35 vjeçar.

Në procedurën e këtij koncesioni morën pjesë të paktën tre kompani ku dy të tjerat u skualifikuan. E para ishte shoqëria Albavia sh.p.k që ofroi një vlerë investimi në zhvillimin e projektit prej 1.8 miliardë lekësh dhe Gjikuria sh.p.k me një vlerë investimi 22.7 milionë euro.

Vendndodhja e parashikuar e objektit është në qendër te qytetit të Vlorës dhe konkretisht në portin aktual të këtij qyteti i cili është nen administrimin e Ministrisë se Infrastrukturës dhe Energjisë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor