Vendosni fjalën kyçe....

Koncesioni i sterilizimit në 5 vjet merr 57% të vlerës së kontratës pagesa nga buxheti


Koncesioni i sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale në spitalet publike hyri në vitin e pestë të kontratës (nga 10 vjet gjithsej) teksa deri më tani, buxheti i shtetit ka paguar kompaninë Sani Servis me 7.1 miliardë lekë, ose 57% të vlerës së rishikuar të kontratës prej 12,3 miliardë lekësh.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se kontrata nisi të përfitojë pagesa që në vitin 2017, teksa deri në fund të 2021, buxheti i shtetit e ka paguar këtë shërbim me 57 milionë euro. Të dhënat tregojnë se pagesat ndaj kompanisë deri më tani e kanë kaluar me 4.7 herë vlerën e investimit prej 1,5 miliardë lekësh të publikuar në kontratë.

Vlera reale e kontratës mbetet e diskutueshme për shkak se pagesat bëhen pas çdo ndërhyrje kirurgjikale. Duke qenë se kur u nënshkrua kontrata, nuk u parashikua saktë ecuria e numrit të operacioneve vit pas viti, pagesat ndaj kompanisë rezultuan shumë të larta se vlerësimet fillestare prej 9.6 miliardë lekësh.

Ministria e Financave, në projektbuxhetin e vitit 2021, raportoi se, vlera e plotë e kontratës së koncesionit të sterilizimit është 12.3 miliardë lekë, por në projektbuxhetin e vitit 2020 financat bashkë çuan në Kuvend një tabelë ku thuhej se, vlera e plotë e kontratës së sterilizimit është 16 miliardë lekë.

Kontrata e Koncesionit/PPP “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimwsh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale” ka në objekt të punës së saj menaxhimin e qendrës së sterilizimit, ofrimin e instrumenteve kirurgjikale sterile sipas setit të personalizuar, veshjet në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve mjekësore me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale ku do të ofrohet ky shërbim.

Projekti shtrihet në të gjitha spitalet universitare, rajonale dhe spitalet bashkiakë. Aktualisht ky projekt është në fazën e operimit.

Referuar të dhënave të raportuara, numri i ndërhyrjeve dhe vlera e rimbursuar e këtij shërbimi ka ardhur në rritje ndër vite. Për vitin 2020 janë realizuar 44,956 ndërhyrje, ose rreth 96% e planit vjetor të parashikuar (47,000 ndërhyrje – referuar planit të ndryshuar) pa përfshirë paketimet me avull, që për të njëjtën periudhë janë 59,461 të tilla.

Ulja e numrit të ndërhyrjeve për vitin 2020, ka ardhur si pasojë e kufizimit të ndërhyrjeve të planifikuara gjatë muajve mars-prill 2020 për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.

Kjo kontratë financohet tërësisht me fonde publike, sipas metodës (pay x use) në varësi të numrit të pacientëve, të cilët do të duhet të marrin shërbimin. Për shkak se në këtë lloj shërbimi nuk mund të parashikohet me saktësi risku i kërkesës, pesha specifike e llojit të ndërhyrjeve komplekse të përdorura, sqaroi Ministria e Financave.

Për shkak të tejkalimit të pagesave të parashikuara gjatë vitit 2019, për këtë kontratë koncesioni u materializua risku i rinegocimit, proces i cili u finalizua në vitin 2020. Palët ranë dakord se për të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale dhe obstetri-gjinekologji të kryera në strukturat spitalore që do të tejkalojnë kufirin e 63,000 ndërhyrjeve në vit, do të aplikohet një zbritje e barabartë me 25% të çmimit./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor