Vendosni fjalën kyçe....

Plagosja e dy të rinjve në Tiranë, arrestohen dy persona e shpallet në kërkim një i tretë


Dy persona janë arrestuar lidhur me plagosjen e dy të rinjve mbrëmjen e djeshme në Tiranë.

Në pranga kanë rënë 27-vjeçari Fatjon Palushi e 27-vjeçari Daniel Manushi, të dy të dënuar më herët. Në kërkim është shpallur 28-vjeçari Islam Xhetani i dënuar më herët për vrasje të mbetur në tentativë.

Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë plagosur me armë 28-vjeçarin Aleksandër Nikolli e 26-vjeçarin Xhulio Vela. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta mes të rinjve.

Njoftimi

“Zbardhet ngjarja e ndodhur pasditen e djeshme, ku mbetën të plagosur me armë zjarri shtetasit A. N. dhe Xh. V.

Brenda pak orëve kapen e vihen në pranga 2 nga autorët e dyshuar të ngjarjes, si dhe shpallet në kërkim autori i tretë i ngjarjes, të tre me precedent të mëparshëm penal, njëri prej tyre me masë sigurie “Arrest në shtëpi”.

Në pranga edhe njëri prej të plagosurve, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, e dyshuar e përdorur në ngjarje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Tiranë, pas një pune intensive hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur pasditen e djeshme, në kryqëzimin e rrugës “Ndre Mjeda” me rrugën “Frosina Plaku”, kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar, konkretisht shtetasit:

F.P., 27 vjeç, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

D.M., 27 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.

Si dhe u shpall në kërkim si autor i tretë i dyshuar i ngjarjes, shtetasi I. Xh., 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.

Këta shtetas, ditën e djeshme, rreth orës 17:00, në kryqëzimin e rrugës “Ndre Mjeda” me rrugën “Frosina Plaku”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasit A. N., 28 vjeç dhe Xh. V., 26 vjeç, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta, midis autorëve të dyshuar dhe shtetasve të plagosur.

Në vijim të veprimeve, u bë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. N., 28 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Gjithashtu, falë veprimeve të shpejta, shërbimet e Policisë bënë të mundur gjetjen e armës së zjarrit pistoletë të përdorur në vendngjarje nga autorët e dyshuar.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.”