Kreu i grupit parlamentar i PS-së Taulant Balla ka kërkuar shtyrjen me një javë, të votimit të kërkesës së PD-së për ngritjen e Komisionit për çështjen e mbetjeve.
“Zonja kryetare, lidhur me njërin prej Komisioneve, që bëhet fjalë për procedurat e ndjekura në ndërtimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve. Dëshiroj të informoj Kuvendin që ne vijojmë të kemi një komunikim me grupin parlamentar të Partisë Demokratike, si grupi më i madh kuvendor I opozitës për të detajuar objektin e punës hetimore në këtë komision.
Do doja të propozoja që votimi për këtë të shtyhet në seancën pasardhëse, me besimin e plotë se deri në seancën pasardhëse do ta kemi detajuar tërësisht objektin e hetimit, për ta sjellë atë në binarët e përcaktuar nga ligji por edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që ka përcaktuar nevojën e një konsensuri deri kur është i mundur për ta ngritur në një objekt i cili do të jetë i pranuar, sikurse e kemi tashmë eksperiencën pozitive në rastin e komisionit të parë. Nuk besoj se një javë do dëmtonte sadopak atributet që ka një komision parlamentar, në këtë frymë do të doja që edhe sipas rregullores, një përfaqësues parlamentar i PD-së të bjerë dakord, ta miratojmë me konsensus.”- tha Balla.
Kërkesa e tij u pranua nga Partia Demokratike, megjëthëse Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi tha se ka patur një përpjekje nga PS për ta penguar ngritjen e këtij komisioni hetimor.
“Në fakt ka patur një komunikim shkesor midis dy grupeve parlamentare, gjithë javën, ka patur një tentativë të qartë të PS-së për të penguar ngritjen e Komisionit Hetimor sipas kërkesës së paraqitur nga ¼ e deputetëve të Kuvendit.
Sot jemi informuar për 1 kërkesë të grupit të PS për të vijuar më tej konsultimet mbi këtë komision hetimor. Ne biem dakord, që të shtyhet për seancën tjetër duke i qëndruar pikë për pikë kërkesës që kemi bërë një javë më parë për ngritjen e Komisionit Hetimor për të kontrolluar procedurat për ndërtimin e tre impianteve për trajimin e mbetjeve.”- deklaroi Bardhi.
Në fund u vendos shtyrja e votimit për ngritjen e këtij Komisioni Hetimor javën e ardhshme.