Pas sulmit me harqe e shigjeta që i mori jetën 5 personave në Norvegji, është vënë në pranga një person i cili mesa duket, nuk paska qenë shumë i panjohur për policinë.
Bëhet fjalë për një qytetari danez 37-vjeçar, i cili ishte konvertuar në Islam dhe kishte dyshime se ai ishte radikalizuar.
Ai u arrestua dhe u mor në pyetje për disa orë gjatë natës, pas sulmit që ndodhi të mërkurën mbrëma në qytetin jugor të Kongsberg.
Shefi i policisë rajonale Ole Bredrup Saeverud tha se oficerët kishin qenë në kontakt të fundit me këtë person në vitin 2020.
“Ne po hetojmë ndër të tjera për të përcaktuar nëse ky ishte një sulm terrorist.”- shtoi ai, citon BBC.
37-vjeçari danez akuzohet për vrasjen e katër grave dhe një burri mbrëmjen e kaluar, ku viktimat ishin të gjithë të moshës 50-70 vjeç.
Policia fillimisht ishte përballur me burrin gjashtë minuta pasi sulmi filloi në orën 18:12 të Mërkurën, por ai gjuajti disa shigjeta ndaj oficerëve dhe u arratis. Ai u kap në orën 18:47, ose 35 minuta pasi filloi sulmi.
Shefi i policisë tha se të pesë viktimat me shumë mundësi u vranë pasi oficerët u takuan për herë të parë me të.
Policia qëlloi për ta paralajmëruar kur burri u arrestua përfundimisht, por nuk është e qartë nëse oficerët ishin të armatosur kur ata u hasën herën e parë me të dyshuarin. Policia norvegjeze zakonisht nuk mban armë, të cilat ruhen në stacionet e policisë ose në makinat patrulluese.
Sulmuesi dyshohet se e nisi sulmin brenda një supermarketi në anën perëndimore të Kongsberg. Një nga të plagosurit ishte një oficer policie jashtë detyrës i cili ishte në dyqan në atë kohë.
Oficeri dhe një person tjetër i plagosur po shërohen në spital me dëmtime jashtë rrezikut për jetën.