Kryeministri Rama tha sot se punësimet në administratë nuk janë pronë e Partisë Socialiste por e popullit shqiptar.
Ai e bëri deklaratën pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së partisë.
Kreu i qeverisë theksoi se lidhur me këtë çështje është vendosur një rregull i fortë gjatë mbledhjes së Kongresit e ai do zbatohet.
“Ajo që do nënvizoja si shumë të rëndësishme nga kjo mbledhje dhe që falë jush do ta ndaja me të gjithë publikun, por në radhë të parë me të gjithë familjen tonë politike në territor është një vijë e kuqe e cila është vendosur fort në kongresin e partisë dhe do të thellohet në vijimësi është se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS. Janë pronë e popullit shqiptar dhe janë funksion i qeverisë dhe i gjithë strukturave ekzekutive të Republikës së Shqipërisë bazuar në kushtet dhe ligjet në fuqi. Ta kenë të qartë të gjithë këtë gjë. Deputetët nuk janë punëdhënës. Kjo nuk është propagandë, është vija ndarëse që do na garantojë kalimin në një nivel tjetër të vetë cilësisë dhe të qasjes së administratës shtetërore në raport me publikun. Nëse në shërbimin civile kemi garantuar tanimë që proceset e rekrutimeve kalojnë në kanale ligjore përmes konkurseve të Departamentit të Administratës Publike, në pjesën tjetër të administratës kemi një problematikë serioze të trashëguar në 30 vjet, por duhet t’i qasemi me forcë dhe vendosmëri.” – tha Rama.