Vendosni fjalën kyçe....

Administratorja e pallatit ku ra zjarri në Astir: Ka edhe banorë të tjerë në spital për djegie dhe asfiksi


Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi sot në zonën e Astirit, ku një 62-vjeçare humbi jetën pasi u hodh nga ballkoni për t’u shpëtuar flakëve, ka folur për kamerat administratorja e pallatit dhe një nga dëshmitaret në vendngjarje.

Në një intervistë për ‘News24’, administratorja tha se kur ishte zgjuar në 6 pa cerek të mëngjesit shtëpia e saj ishte mbuluar nga tymi. Ajo thotë se ka dalë në ballkon për të parë çpo ndodhte, kur ka vënë re se në katin e tretë kishte rënë zjarri.

“Ndodha në shtëpi. Rreth orës 6 pa çerek të mëngjesit po shihja që kishte tym. Jetoj në katin e 9 dhe pashë që në katin e tretë kishte flakë. S’na linte tymi që të hapnim derën ne në kat të 9. Si administratore komunikova me banorët dhe më thanë se kishte rënë në katin e 3. Aty ma mori mendja se e ka bërë ai. Mora policinë në telefon, por nuk po na e hapte.”- thotë administratorja.

Aty menjëherë ajo kishte ngritur dyshimet tek 36-vjeçari Klodjan Osmanaj, pasi siç shprehet ajo, ai ka qenë gjithmonë problematik në këtë pallat.

“Po po ishte problematik. Unë si administratore e pallatit e kam njoftuar 5-6 herë në telefon. Është bërë ai numri im i telefonit atje si 0900. Policia, shteti e ti këtë mirë, se janë të dokumentuara. Para një jave ka qenë policia këtu bashkë me ambulancën se nuk e morën dot. Ishte kthyer në shqetësim. Bërtiste, bënte sherr. Dilte në ballkon, gjuante me shishe uji, me ça të kishte. E kemi raportuar disa herë. Kam kontaktuar dhe me familjen e tyre, me ish-burrin e saj, dhe më thoshin; nuk kemi ça të bëjmë. Atëherë i jam drejtuar policisë.”- vijon ajo.

Administratorja ka treguar gjithashtu, se përveç Osmanajt, në spital ndodhen dhe disa banorë të katit të katërt, që kanë marrë djegie nga flakët apo janë asfiksuar nga tymi: “Kam qenë në krahun matan. Por nuk mundeshin dot se shtëpia ishte mbuluar nga flakët. Banori që është sipër, në kat të katërt, nuk fliste dot se ishin asfiksuar nga tymi. Dhe ata të katit të katërt ndodhen në spital në gjendje të rëndë, janë shtruar te Plastika. Kanë marrë djegie dhe asfiksi.”

Administratorja e Pallatit është ankuar se pavarësisht se i kishin thirrur në kohë, policia dhe ambulanca është vonuar.