Vendosni fjalën kyçe....

Gjenerali i ushtrisë së Mianmarit përjashtohet nga samiti i udhëheqësve rajonalë


Gjenerali i ushtrisë që mori pushtetin në Mianmar në muajin shkurt të këtij viti, është përjashtuar nga një samit vjetor i udhëheqësve rajonalë që do të mbahet më vonë këtë muaj.

BBC shkruan se Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore (Asean) ra dakord të ftojë një përfaqësues jo-politik nga Mianmari në vend të gjeneralit Min Aung Hlaing.

Kjo është një lëvizje e pazakontë për bllokun prej 10 anëtarësh, që tradicionalisht e shmang ndërhyrjen në punët e brendshme anëtarëve të tij.

Asean tha se ushtria nuk kishte bërë sa duhet për t’i dhënë fund trazirave në Mianmar.

Në gusht, gjenerali Min Aung Hlaing e quajti veten kryeministër dhe tha se gjendja e jashtëzakonshme e vendit do të zgjatet ndërsa luftimet midis ushtrisë dhe forcave të milicisë që kundërshtojnë grushtin ushtarak vazhduan.

Asean tha në një deklaratë se një takim urgjent i ministrave të jashtëm të saj të Premten nuk kishte qenë në gjendje të arrinte një konsensus nëse ushtria duhej të përfaqësonte Mianmarin në samitin e mbajtur në datat 26-28 tetor.

Grupi tha se udhëheqësit ushtarakë të Mianmarit kishin refuzuar të përmbushnin premtimet për dialog dhe de-përshkallëzim.