Partia Demokratike ka denoncuar sot mbylljen e godinës për shkollat e Sarandës, Eco Kampus.
Në një deklaratë për mediat pranë kampusit, deputetja e PD-së Ina Zhupa tha se kjo godinë është bërë me taksat dhe paratë e qytetarëve të Sarandës dhe ende nuk është vënë nën funksion pasi mbahet mbyllur nga qeveria.
Deputetja shprehet se fëmijët nëpër shkollat 9-vjeçare të Sarandës sot e kryejnë mësim me 2 turne vetëm sepse qeveria dhe pushteti lokal nuk po e vënë godinën në përdorim.
“Ndodhem në qytetin e Sarandës, mbrapa meje është godina e quajtur Eko Kampusi, një godinë e ndërtuar prej gati 3 vitesh dhe e pa vendosur në funksion për të mirën e nxënësve të Sarandës.
Kjo godinë është bërë me taksat dhe paratë e qytetarëvë të Sarandës. Sot fëmijët nëpër shkollat 9-vjeçare të Sarandës kryejnë mësim me 2 turne vetëm sepse qeveria dhe pushteti lokal nuk kanë menduar që ta pajisin brenda me mjetet e duhura për të zhvilluar mësimin, për t’i bërë instalimet elektrike dhe hidraulike.
Në seancën dëgjimore që kishim në Komisionin e Edukimit me Ministren e Arsimit, unë e pyeta për Eko Kampusin dhe i kërkova shpjegime se përse nuk e vendosin në funksion për fëmijët e qytetit të Sarandës dhe sigurisht që ngela pa marrë një përgjigje.
Sepse ata nuk kanë përgjigje se pse paratë e buxhetit të shtetit dhe paratë e bashkive i çojnë në funksion të klientëve të pushtetit në funksion të oligarkëve, në funksion të pasurimit të tyre dhe klientëve të tyre.
Nuk kanë përgjigje se pse fëmijët e Sarandës sot pa asnjë arsye vazhdojnë të bëjnë mësim me dy turne, vazhdojnë të bëjnë mësim në klasa të mbi populluara edhe pse në përiudhë pandemie, kur godina është gati është bërë me taksat e tyre dhe duhet të ishte në funksion për ta.
Ky është modeli i keqqeverisjes që ofron Edi Rama dhe i krizave që ofron nga keqmenaxhimi i tij.”- deklaroi Zhupa.