Vendosni fjalën kyçe....

ISIS merr përgjegjësinë e sulmit kamikaz në Afganistan


Grupi terrorist i Shtetit Islamik ka pranuar përgjegjësinë për  sulmin me bombë që ndodhi të premten në një xhami shiite në Afganistanin jugor, ku mbetën të vrarë 47 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Në një deklaratë, të shpërndarë në mediat sociale nga agjencia e lajmeve Amaq të organizatës, Shteti Islamik (IS, apo ish-ISIS) ka pranuar se sulmi u krye nga anëtarët e tij.

Në deklaratë përmendeshin edhe emrat e dy kamikazëve meshkuj, duke thënë se ata së pari qëlluan dhe vranë rojet në hyrjet e xhamisë.

Pas kësaj, njëri prej sulmuesve shpërtheu një eksploziv në hyrje të xhamisë, ndërsa tjetri shpërtheu veten brenda ndërtesës, shkruan RT. Ky është sulmi i dytë i madh nga IS që kur talebanët morën pushtetin në Afganistan në mes të gushtit pas tërheqjes së trupave amerikane nga vendi. Javën e kaluar, grupi terrorist shënjestroi një xhami shiite në qytetin verior të Kunduz, duke vrarë 46 njerëz dhe duke plagosur 143 të tjerë.