Vendosni fjalën kyçe....

U shfaq në video duke dhënë para në këmbim të votave, arrestohet ish-kandidati për deputet në zgjedhjet e 25 prillit


Policia e Tiranës ka arrestuar kandidatin e LSI-së në zgjedhjet e 25 Prillit, Etion Joka, i cili akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje.

32-vjeçari u shpall në kërkim pasi dosja i kaloi SPAK-ut, fill publikimit të një videoje në medie, ku ai shfaqej duke dhënë para në këmbim të votës.

“Nga specialistët për Hetimin e Korrupsionit u bë ekzekutimi i vendimit penal, për shtetasin E. J, 32 vjeç, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar në mungesë masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje’.”- thuhet në njoftimin e policisë.

Kujtojmë se Joka, pas pamjeve të publikuara në media akuzoi se janë të montuara nga televizioni Top Channel i cili i publikoi ato.

Madje ai do të shtonte se “çështjen e këtij montazhi do ta ndjek edhe në rrugë ligjore pas 25 Prillit.”

Etion Joka