Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri në pallatin në Astir dyshohet i qëllimshëm, fqinjët: Djali ishte i dhunshëm, bënte sherre


Zjarri në apartamentin në Astir ku humbi jetën një 62-vjeçarje, pasi u hodh nga dritarja e banesës për t’u shpëtuar flakëve, dyshohet të jetë i qëllimshëm.

Djali, Klodjan Osmenaj, sipas banorëve të pallatit vuante nga depresioni, dhe kjo ka shtuar dyshimet. Ndërkohë që nga autoritetet nuk janë konstatuar rrjedhje gazi apo bombola. Nënë e bir jetonin prej pak vitesh në apartamentin në Astir. Djali jetonte vetëm me nënën, që pasi ishte divorcuar.

Banorët e pallatit kanë treguar se 36-vjeçari është person problematik dhe i dhunshëm, pasi dhe herë të tjera ka tentuar që t’i vënë zjarrin banesës, madje ka hedhur edhe orendi shtëpiake nga ballkoni.  Sipas fqinjëve, edhe mbrëmjen e kaluar në këtë shtëpi janë dëgjuar debate me zë të lartë.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 05:55 të mëngjesit të sotëm, në katin e tretë të një pallati në Astir ku një apartament ishte përfshirë nga flakët.

Hava Osmënaj, 62-vjeçe në pamundësi për të dalë nga dera, është hedhur nga dritarja për t’u shpëtuar flakëve.

Mirëpo zonja nuk ka mundur dot të shpëtojë, ndërsa djalin Klodjan Osmënaj, 36-vjeç e kanë nxjerrë jashtë banorët dhe e kanë çuar në spital. Aktualisht ai ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë si pasojë e tymit janë evakuuar disa familje, të cilat gati janë asfiksuar. 

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.