Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada Ruse për ngjarjen në Qerret: Presim një hetim të plotë nga pala shqiptare


Ambasada ruse në Shqipërisë ka bërë një reagim zyrtar lidhur me vdekjen e katër turistëve rusë në një hotel në Qerret të Kavajës.

Në njoftim, ambasada bën me dije se është në kontakt me agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri dhe se po heton mbi ngjarjen, ndërsa shprehet se pret një hetim të plotë nga pala shqiptare.

“Rreth vdekjes së katër shtetasve rusë në Shqipëri.

Ambasada ruse në Shqipëri konfirmon vdekjen e katër shtetasve rusë (Natalia Burenkova, Sergey Burenkov, Ekaterina Burenkova dhe Nikita Belousov) në një hotel afër qytetit të Kavajës. Departamenti Konsullor i Ambasadës është në kontakt të vazhdueshëm me agjencitë ligjzbatuese të vendit dhe po heton rrethanat e asaj që ka ndodhur. Ne presim një hetim të plotë nga pala shqiptare e shkaqeve të vdekjes së rusëve. Janë njoftuar të afërmit e të ndjerëve. Do të ketë riatdhesim të trupave në vendlindje.”- thuhet në njoftimin e ambasadës ruse.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e të premtes, ku viktimat janë Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, vajza e tyre Ekaterina Burenkova 31 vjeçe, si dhe i fejuari i kësaj të fundit, Nikita Belousov, 37 vjeç.  Ata u gjetën të pajetë në një hotel në Qerret, në zonën pranë pishinës.