Jo vetëm Kosova, edhe Maqedonia e Veriut sot është në zgjedhje. Këto zgjedhje lokale do të jenë të shtatat që nga pavarësia e shtetit por të tretat në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.
Të drejtë vote kanë 1.824.864 votues, një rritje prej 10.220 votuesish nga zgjedhjet e vitit 2017.
Në Zgjedhjet lokale 2021, janë gjithsej 299 kandidatë për kryetarë komunash, që është rritje prej 42 kandidatësh në krahasim me ato në vitin 2017, kur kishte më pak kandidatë për kryetarë komunash, 257.
Ndërkohë, janë 572 lista të kandidatëve për anëtarë të këshillave komunal me gjithsej 10.532 kandidatë, prej të cilëve 55 për qind janë burra, ndërsa 45 për qind gra.
Procesi i votimit ka nisur në orën 07:00 dhe deri tani po zhvillohet pa probleme. Kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev tha dy ditë më parë se partia e tij dhe koalicioni kanë marrë përkrahje të madhe nga qytetarët duke parashikuar fitore në 22 komuna.
“Unë dhashë një parashikim timin dhe ky është 22 komuna fitore në rreth të parë për LSDM-në dhe koalicionin dhe gjashtë komuna fiton OBRM-PDUKM në rreth të parë. Natyrisht në komunat tjera ku do të kemi garë, ne kemi 69 kandidatë për kryetar komune dhe lista në 80 komunat dhe Bashkinë e Shkupit dhe jemi në përparësi.”– tha Zaev për ë Kanal5.
Në orën 19:00 do të mbyllen të gjitha qendrat e votimit. Votuesit e gjetur në qendrën e votimit lejohen të votojnë. Vendvotimi ku votuan të gjithë qytetarët e regjistruar në fragmentin nga Lista e votuesve mund të mbyllet para orës 19:00, me pëlqimin paraprak nga KKZ -ja kompetente, por nuk fillon numërimin e votave para orës 19:00.
Policia do të sigurojë vendvotime pa ndërprerë duke filluar nga ora 06:00 deri në 19:00 për kohëzgjatjen e votimit, pas mbylljes së vendvotimit dhe gjatë përmbledhjes së rezultateve dhe do t’i largojë të gjithë personat e paautorizuar nga objekti.