Qytetarët e Kosovës po i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal, asamblistët dhe kryetarët e 38 komunave.
Sikurse raportojnë mediet në Kosovë, qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00 dhe mbyllen në ora 19:00.
Në këto zgjedhje për postin e kryetarëve të komunave garojnë 166 kandidatë, 152 burra dhe 14 gra.
Ndërsa numri i kandidatëve për kuvende komunale është 5,198, prej tyre 3,261 burra dhe 1,937 gra. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5,364.
Nga ana tjetër lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.
Shumë politikanë po u bëjnë thirrje qytetarëve që të dalin e të votojnë. Po ashtu edhe Ambasada Amerikane në Kosovë e cila shkruan se kryetarët e komunave kanë rëndësi: “Kryetarët e komunave kanë rëndësi. Vendimet e tyre – pavarësisht nëse i jepni përparësi shkollave, punimeve në rrugë, transportit publik, grumbullimit të plehrave ose projekte të tjera, ndikojnë në cilësinë e jetës tuaj çdo ditë. Mos e humbisni rastin tuaj për të bërë të njohur zërin tuaj”.