Vendosni fjalën kyçe....

Partia Demokratike: Rritja e çmimit të energjisë për biznesin do rrisë çdo çmim tjetër, krizën e korrupsionit do ta paguajnë qytetarët


Partia Demokratike thotë se rritja e çmimit të energjisë për biznesin, do të sjellë edhe rritjen e çdo çmimi tjetër.

Në një deklaratë për mediet, Sekretari për Klimën e Biznesit në PD, Flamur Hoxha, ka shpjeguar se shtrenjtimi i energjisë elektrike për bizneset do të përkthehet në rritje të çmimeve të produkteve apo shërbimeve që ata ofrojnë dhe familjarët konsumojnë, e në rastin më të keq do çojë edhe në falimentim të bizneseve, duke rritur më tej papunësinë. 

“Dhe nëse deri tani qeveria pohon se nuk do të ketë rritje të çmimeve për konsumatorin familjar, që gjithsesi do ta paguajë nëpërmjet borxhit të rritur publik, qeveria i ka hapur rrugë rritjes së çmimeve për sipërmarrësit e mesëm e të mëdhenj.

Fatkeqësisht, edhe në këtë rast, fatura do t’u shkojë përsëri qytetarëve sepse shtrenjtimi i energjisë elektrike do të përkthehet në rritje të çmimeve të produkteve apo shërbimeve që ata konsumojnë, e në rastin më të keq edhe në falimentim të bizneseve, duke rritur edhe më tej papunësinë.“- shprehet Hoxha.

DEKLARATA E PLOTË E HOXHËS

Prej ditës që tellali i të keqes deklaroi se Shqipëria po hynte në një krizë energjitike, Partia Demokratike ka treguar me fakte dhe prova se ajo që po ndodh, nuk ka lidhje me tregjet ndërkombëtare, por me keqmenaxhimin dhe korrupsionin.

E kemi bërë këtë duke treguar se si ndërkohë që qeveria flet për krizë, ka shpërdoruar 40 milionë euro nga taksat e qytetarëve.

Po ashtu kemi treguar se si me dritëshkurtësinë dhe menaxhimin skandaloz të eksporteve të energjisë, shkurtuan rezervat ujore, në atë që ekspertët cilësojnë si viti më i mirë historik, duke hapur një pjesë të madhe të  gropës që do të mbyllet duke marrë borxh 200 milionë euro .

Kjo papërgjegjshmëri i vendosi qytetarët përballë dy zjarreve, ose rritje çmimesh, ose rritje borxhi, që në finale paguhen përsëri nga taksapaguesit shqiptarë.

Dhe nëse deri tani qeveria pohon se nuk do të ketë rritje të çmimeve për konsumatorin familjar, që gjithsesi do ta paguajë nëpërmjet borxhit të rritur publik, qeveria i ka hapur rrugë rritjes së çmimeve për sipërmarrësit e mesëm e të mëdhenj.

Fatkeqësisht, edhe në këtë rast, fatura do t’u shkojë përsëri qytetarëve sepse shtrenjtimi i energjisë elektrike do të përkthehet në rritje të çmimeve të produkteve apo shërbimeve që ata konsumojnë, e në rastin më të keq edhe në falimentim të bizneseve, duke rritur edhe më tej papunësinë. 

Pra, do të kemi një përkeqësim edhe më të madh të gjendjes së përgjithshme ekonomike, në të cilën edhe qytetarët edhe sipërmarrësit, do të paguajnë faturën e keqmenaxhimit dhe korrupsionit të kësaj qeverie, që nuk heq dorë nga shpenzimet e luksit, që nuk heq dorë nga shpërdorimet me tenderat me çmime marramendëse dhe nuk heq dorë nga PPP-të që po i marrin frymën ekonomisë shqiptare, duke I vendosur taksat e qytetarëve në shërbim të klientëve të qeverisë.

Përballë kësaj babëzie qeveritare, që nuk i sheh vështirësitë e familjeve shqiptare, as ato të sipërmarrësve të ndershëm që luftojnë për mbijetesë në një ekonomi të përqënduruar në pak duar,  është detyrë primare e organeve të drejtësisë të hetojnë me urgjencë cdo shpërdorim dhe abuzim me taksat e shqiptarëve dhe pasuritë e tyre natyrore, pasi janë ata që po  paguajnë koston e korrupsionit dhe keqmenaxhimit.